Fisnik Ismaili: Rivotimi i Speciales është fundi i Kuvendit

Kosova

Fisnik Ismaili: Rivotimi i Speciales është fundi i Kuvendit

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 19:45

Fisnik Ismaili, Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, i ftuar në Info Magazine ka folur për themelimin e Gjykatës Speciale.
Ai ka thënë se Parlamenti e ka dhënë fjalën e tij dhe se rivotimi i saj nuk është konform rregullave ligjore.
“Nëse përsëri do të bëhet kërkesa për votimin e amendamenteve për Specialen, kjo do të ishte diçka e paligjshme, fund i Kuvendit”.
“Vendimet e tilla si amandamentimi i Kushtetutës janë kompetencë e Kuvendit, dhe jo e Qeverisë”.
Ismaili, i njohur për gjuhën e ashpër që përdor gjatë seancave dhe në aktivitetin e tij në rrjetet sociale, e ka arsyetuar këtë zakon të tijin.
“Gjuha që unë e përdori nuk është e vrazhdë, jam i drejtpërdrejtë”.
“Është gjuhë e përditshmërisë sonë. Nëse kjo është gjuha që përdori çdo ditë, nuk konsideroj se duhet të flas ndryshe në Parlament apo në Facebook”, është shprehur ai.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se ka simpati për një deputet të LDK-së.
“Me Ismet Beqirin nuk jam as i vrazhdë, e as vulgar. Më pëlqen ta thumboj sepse më pëlqejnë reagimet e tij”.
Sikurse bashkëpartiaku i tij Glauk Konjufca që kishte thënë për Info Magazine javë më parë, edhe Ismaili ka ritheksuar se VV nuk ka raport të keq me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ambasada e Amerikës nuk është shteti amerikan, por vetëm një përfaqësues. Ne i kemi raportet e mira me Amerikën, por jo me misionin diplomatik të atij vendi”.
Heshtjen e tij të gjatë në Kuvend Ismaili e ka arsyetuar me praninë në rrjetet sociale.
“Aktiviteti im në Facebook ia merr anën aktivitetit në Kuvend – aty jemi vetëm të enjteve, kurse në Facebook jam çdo ditë”, ka thënë ai.
Artisti i shndërruar në deputet ka thënë se veprimtarinë e tij në Kuvend do ta fokusojë në mbrojtje të artistëve të Kosovës dhe të kontribuojë në përmirësim të ambientit kulturor.
Fisnik Ismaili po ashtu ka folur edhe për vendin e preferuar të lexojë libra. “Në banjo lexoj libra, qaty kam më shumë kohë. Një libër e lexoj për një muaj”, ka thënë Ismaili

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat