Hyseni lëvdon policinë, thotë se nuk ka rrezik nga terrorist

Kosova

Hyseni lëvdon policinë, thotë se nuk ka rrezik nga terrorist

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 19:07

Lëvdata të mëdha i ka dhënë Policisë së Kosovës ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni, gjatë vizitave që ai realizoi në Gjilan dhe Viti.

Hyseni, tha gjatë takimit me kryetarin e Vitisë së duhet të jepet një mesazh i drejtpërdrejtë kundër fenomeneve që mund të godasin shoqërinë kosovare, siç është migrimi ilegal, tregtia me njerëz dhe pjesëmarrja në luftërat e huaja.

“Me të gjitha këto fenomene Policia e Kosovës merret efektivisht. Kemi polici shumë profesionale dhe them me krenari se është policia më e mirë në Ballkan, kjo edhe në bazë të vlerësimeve që vijnë nga raportet ndërkombëtare”, tha ministri Hyseni.

Gjatë vizitës në Viti, ministri Hyseni u takua me Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi, ku nga përfaqësuesit e këtij këshilli kërkoi që ato të funksionalizohen edhe më shumë dhe të kenë shtrirje në nivele më sociale, siç është familja.

“Këtë mesazh mos e merrni se Kosova është në panik. Nuk ka asnjë rast të kërcënimit nga ndonjë sulm i mundshëm terrorist”, tha minist ri Hyseni.

Pas Vitisë, ministri Skender Hyseni, vazhdoi vizitën e tij në komunën e Gjilanit, me ç’rast u takua me kryetarin e kësaj komune, Lutfi Haziri dhe me Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi.

Me këtë rast kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se e njoftoi ministrin Hyseni për gjendjen e sigurisë publike, por qëllimi kryesor është takimi me KKSB-në, i cilin është njëri nga mekanizmat komunal më të suksesshëm, pasi ka vizita dhe angazhime konkrete, që ka si përfaqësim politik e qytetar dhe përfaqësues të religjioneve, partive politike dhe shoqërisë civile.

“KKSB e Gjilanit është marrë shembull i mirë dhe dua të them se ka prodhuar dy angazhime konkrete, dialogun ndërfetar ndërmjet institucioneve fetare dhe aktiviteti tjetër është “Muaji i Tolerancës” që do të jetë muaj i menaxhuar dhe koordinuar nga vetë krerët fetarë dhe KKSB”, tha kryetari Haziri.

Ndërsa, ministri i Pun ëve të Brendshme, z. Skender Hyseni vlerësoi aktivitetet përmbajtjesore dhe sistematike të KKSB-së, që ka një rëndësi të dorës së parë në atë që e quajmë ruajtje dhe kultivim të harmonisë fetare, mirëkuptimit ndëretnik etj.

“Ka shumë rëndësi funksionalizimi i KKSB-ve, në funksion të zbritjes së mesazhit në nivelet më bazike të organizimit social te familja, shkolla, lagjja, komuniteti, xhamia e kisha, gjithnjë me qëllim të parandalimit të fenomeneve të dëmshme për shoqërinë dhe shtetin”, tha ministri Hyseni.

Ministri Hyseni vuri ne dukje se njerëzit e mirë të këtij vendi e kanë obligim që ta përdorin një kundër narracion, të vënë në veprim kundër mesazhin për ta detronizuar mesazhin e keq që fton për dhunë, urrejtje ndëretnike e ndërfetare. Ai tha se Kosova është vend multikulturor, multietnik e multikonfesional dhe kjo është pasuri që duhet ta ruajmë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat