Mërgimtarët ia adresojnë ankesat kryetarit të Ferizajt

Kosova

Mërgimtarët ia adresojnë ankesat kryetarit të Ferizajt

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 19:03

Gjatë një takimi që ka zhvilluar me një grup të mërgimtarëve ferizajas që gjinden për pushime në vendlindje, kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, u ka thënë se në interes të komunës është bashkëpunimi me mërgatën me qëllim të krijimit të planeve dhe projekteve të përbashkëta zhvillimore. Ai u ka thënë atyre se është obligim moral i komunës që t'iu ofroj me mundësi për investime.

"Ne u ofrojmë plane biznesi, pronë, infrastrukturë përcjellëse dhe lehtësira administrative. Qëllimi është që të bashkëbisedojmë dhe të gjejmë mënyra për hartimin e planeve të përbashkëta të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e komunës" u ka thënë Svarqa mërgimtarëve, pa harruar që të përmend edhe kontributin e tyre ndër vite. Ai ka folur edhe për aspektet zhvillimore duke thënë se orientimi i pushtetit lokal është shpërndarja e barabartë e buxhetit sidomos kur janë në pyetje projektet kapitale."Kemi një buxhet të vogël për investime kapitale, synimet tona janë që atë ta shpërndajmë në mënyrë proporcionale dhe ta menaxhojmë me nikoqirllëk, ka thënë Svarqa, teksa ka përmendur edhe angazhimet për vendosjen e standardeve në projekte.

"Jemi të interesuar që për projektet që po realizojmë të vendosmi standarde, të kemi rrugë me gjerësi 6 metra, me ndriçim publi k dhe që rrugët të kenë shteg të këmbësorëve dhe të biçikletave" ka potencuar Svarqa.

Gjatë debatit mërgimtarët ngritën çështje të ndryshme duke vënë theksin tek aspektet që lidhen me zhvillimet e përgjithshme në komunën. Rexhep Rifati, i cili jeton në Zvicër ka ngritur çështjen e krijimit të një fondi për përkrahjen e nxënësve me kushte të vështira, ndërsa Fahri Mahallaë ka folur për një angazhim të përbashkët me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për qytetarët.

Nuk munguan edhe ankesat në adresë të pushtetit për disa probleme që lidhen me mungesën e investimeve. Ruzhdi Veseli, mërgimtar nga Gremja e Ferizajt ka ngritur problemin e shërbimeve mjekësore, problemin e ujit dhe kanalizimit, ndërsa Fehmi Ahmeti ka folur për problemin e organizimit të fshatrave duke thënë se fshatit Greme i mungon kryetari, ndriçimi publik, zyra e vendit dhe uji i pijes.

Duke iu përgjigjur interesimit të mërgimtarëve, kryetari Svarqa, ka vë në dukje se edhe përkundër limiteve buxhetore komuna është duke punuar në zgjerimin e rrugëve, krijimin e hapësirave të gjelbëruara, në asfaltimin e rrugëve, ndërtimin e shkollave dhe kopshteve, ndërsa është ndalur veçmas te disa projekte kapitale me rëndësi siç është projekti i spitalit të qytetit, i trajtimit të ujërave të zeza dhe projekti i ngritjes së fabrikës së re të ujit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat