​Vetëvendosje thotë se vendimi i Kuvendit për Specialen nuk mund të prapakthehet

Kosova

​Vetëvendosje thotë se vendimi i Kuvendit për Specialen nuk mund të prapakthehet

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 17:57

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media thotë se vendimi i Kuvendit për Amandamentin Kushtetues që i jep rrugë krijimit të speciales nuk duhet të ndryshohet.

Vetëvendosje thotë se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka refuzuar miratimin e Amendamentit kushtetues për themelimin e Dhomave të specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (Nenin 162) dhe ky vendim sipas tyre është është legjitim, fuqiplotë dhe i pandryshueshëm.

Vetëvendosje në komunikatën e saj thotë se cilado tendencë e Ekzekutivit për ta riproceduar dhe rivotuar këtë Amendament është shkelje e papranueshme e parimit bazë të demokracisë dhe ndarjes së pushteteve.

Kjo, siç thotë Vetëvendosje e rrezikon pakthyeshmërisht integritetin institucional të vendit dhe fuqinë e vendimeve të organit më të lartë legjislativ në vend, Kuvendit. Njëkohësisht paraqet shkelje të votës së lirë të deputetëve.

“Kundërshtimi i themelimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar përmes këtij Amendamenti kushtetues është i drejtë, legjitim dhe në mbrojtje të drejtësisë universale dhe sovranitetit të Republikës e integritetit institucional të saj. Një mbrojtje e tillë e integritetit institucional dhe parimeve universale karshi drejtësisë selektive është detyrë e secilit deputet pavarësisht subjektit që i përket a qëndrimit të tyre politik karshi çështjes. Aq më tepër bëhet e rëndësishme në këtë kohë të shpërfilljes flagrante që Ekzekutivi po ia bën autonomisë së Legjislativit dhe vendimeve të tij”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Deputetët e Kuvendit të Republikës që e kanë kundërshtuar Amendamentin kushtetues sipas Vetëvendosjes kanë vendosur drejt sepse kanë vendosur për Republikën e Kosovës si shtet sovran, për drejtësi universale dhe për barazi para ligjit.

“Ky vendim është në përputhje me vullnetin politik të popullit të Kosovës dhe në përputhje me interesat e tij. Ky vendim është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm drejt kthimit të institucioneve të Republikës kah interesat publike e shtetërore kundër nëpërkëmbjes e imponimit. Republika e Kosovës dhe populli i Kosovës kanë nevojë për deputetë që e mbrojnë atë dhe ia mbrojnë interesat atij, për deputetë që punojnë për qytetarët dhe në të mirë të tyre. Kuvendi i Republikës do të ketë nevojë përherë për deputetë të tillë”, thuhet në këtë komunikatë të VV-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat