Nitaj: PDK dhe LDK ta arsyetojnë rikthimin e Speciales në Kuvend

Kosova

Nitaj: PDK dhe LDK ta arsyetojnë rikthimin e Speciales në Kuvend

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 17:12

Pas deklaratave të kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, se Gjykata Speciale do të sillet në Kuvend për votim javën e ardhshme, partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), sikur herën e parë, ka deklaruar se do të votojë kundër kësaj gjykate.

Muharrem Nitaj, zëdhënës i AAK-së, në një prononcim për Indeksonline ka thënë se sjellja e Speciales sërish në Kuvend është në kundërshtim me praktikat parlamentare dhe se PDK e LDK duhet të japin arsyeshmërinë e një hapi të tillë.

“AAK-ja, vlerëson se Kuvendi i Kosovës ka votuar për amendamentet kushtetuese që lidhen me Gjykatën Speciale dhe rezultati ka qenë negativ. Përpjekjen për ta rikthyer të njëjtën çështje, edhe një herë tjetër në votim, e konsiderojmë të panevojshme dhe në kundërshtim me praktikat parlamentare dhe arsyeshmërinë e një hapi të tillë duhet ta japin PDK dhe LDK”, ka thënë Nitaj.

Sipas tij, mënyra e vetme që AAK-ja do ta kundërshtojë themelimin e Speciales është duke i thënë “Jo” në Kuvend.

“Ne i kemi kundërshtuar me votë amandamentet kushtetuese dhe besojmë se kjo është krejtësisht e mjaftueshme, pa provuar forma të tjera të kundërshtimit të kësaj Gjykate”, ka shtuar ai.
Ndryshe, përveç AAK-së, janë edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën që kanë votuar kundër Speciales në Kuvend, si dhe kanë deklaruar se njëjtë do të veprojnë edhe nëse ajo rikthehet për votim. Gjithashtu, Specialen e kundërshtojnë edhe deputetë të PDK-së, të cilët përkundër takimit me kreun e tyre, Hashim Thaçin, deklaruan se do t`i thonë sërish “Jo” Speciales.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat