Të rinjtë e Mitrovicës mbledhin 10 mijë nënshkrime për liberalizim

Kosova

Të rinjtë e Mitrovicës mbledhin 10 mijë nënshkrime për liberalizim

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 15:07

Një grup vullnetarësh nga organizata ‘Community Building Mitrovica (CBM) në Mitrovicë, ka nisur që dy javë fushatën sensibilizuese për liberalizimin e vizave në këtë qytet dhe më gjerë.

Ata përmes muraleve kanë shprehur në formë artistike brengën e qytetarëve në përgjithësi, por edhe të të rinjve në veçanti, se vendi i tyre është pothuajse i izoluar tërësisht dhe qytetarët e këtij vendi nuk mund të udhëtojnë askund në Evropë pa viza.

Zana Syla, njëra nga vullnetaret e kësaj organizate, ka bërë të ditur për Kosovapress se të rinjtë e CBM-së kanë arritur që për dy javë të mbledhin rreth 10 mijë nënshkrime, ndërsa u shpreh se përmes këtij peticioni duan të manifestojnë një të drejtë elementare të popullit të Kosovës.

“Ky është një mural që e kemi bërë me një grup artistësh në kuadër të projektit për ‘Liberalizimin e Vizave’ që ka filluar prej shoqërisë civile. Është diçka që po ndodhë në gjithë Kosovën, ndërsa për rajonin e Mitrovicës që përfshinë Mitrovicën Skenderajn dhe Vushtrrinë përgjegjëse është organizata Community Building Mitrovica (CBM).… Prapa mund të shihet një mural i cili në formë artistike paraqet brengën e qytetarëve dhe të rinjëve sidomos, për faktin se ne jemi vendi i vetëm që nuk mundemi me udhëtu askund në Evropë pa viza edhe jemi të izoluar…. deri tani kemi pothuajse 10 mijë nënshkrime… dhe për mendimin tonë puna ka shkuar mirë”, ka thënë Syla.

Ajo u shpreh të jetë optimiste se numri i të nënshkruarve do të rritet gjatë ditëve në vijim, duke pasur parasysh ardhjen edhe të mërgimtarëve nga diaspora.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat