Disa misione kanë nevojë për plotësimin e stafit konsullor

Kosova

Disa misione kanë nevojë për plotësimin e stafit konsullor

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 15:00

Grupi i punës ka vlerësuar të arriturat dhe ka identifikuar problemet bazike që paraqiten në zbatimin e. Ligjit, duke dhënë edhe rekomandime

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i komisionit, është shqyrtuar raporti për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shërbimin konsullor të misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, i përgatitur nga grupi punues, i caktuar kohë më parë, po nga ky komision.

Në emër të grupit punues raportin e ka prezantuar, kryesuesja e këtij grupi, Puhie Demaku. Ajo ka theksuar se Grupi i punës, bazuar në mandatin e dhënë, ka arritur të përmbyllë aktivitetet e planifikuara në mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shërbimin konsullor të misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës Nr. 03/L-125, duke përmendur edhe aktivitetet e planifikuara dhe të realizuara për këtë qëllim.

Në bazë të të gjeturave, Grupi i punës ka vlerësuar të arriturat dhe ka identifikuar problemet bazike që paraqiten në zbatimin e Ligjit, duke dhënë edhe rekomandime dhe propozuar masa konkrete që duhet të ndërmerren për të ndryshuar gjendjen ekzistuese.

“Në veçanti, Grupi i punës është angazhuar të vlerësojë ushtrimin e funksioneve të shërbimit konsullor, në dhënien e ndihmës të shtetasve tanë, dhënien e ndihmës shtetasve të Kosovës në raste të jashtëzakonshme, ndihmën për të burgosurit dhe përfaqësimi i shtetasve të Kosovës në organet gjyqësore të shtetit pranues, përpunimin e dokumentacionit në çështjet e shtetësisë, pranimin e kërkesave për lëshimin e pasaportave dhe të vizave, regjistrimin e akteve të gjendjes civile, për konsujt e nderit dhe për taksat konsullore, nxjerrjen e akteve nënligjore, mangësitë apo vështirësitë eventuale, të cilat mund t’i hasin mekanizmat përkatës gjatë zbatimit të ligjit, etj”, ka theksuar Demaku.

Qëllim tjetër i Komisionit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shërbimin konsullor të misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës ishte të vlerësojë nëse Qeveria, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme, është duke i përmbushur obligimet që dalin nga ky ligj, çështje për të cilën ky raport ofron të dhëna dhe rekomandime përcjellëse, theksohet në raport.

Grupi i punës ka organizuar takime pune me zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Ministrisë së Diasporës; ka hartuar pyetësorë për përgjigje me shkrim për të gjitha misionet konsullore të Republikës së Kosovës, lidhur me çështjet që ndërlidhen me zbatimin e ligjit; ka vizituar misionet konsullore të Republikës së Kosovës në Frankfurt dhe Berlin të Gjermanisë, si dhe misionet konsullore në Bernë, Cyrih dhe Gjenevë të Zvicrës.

Në këto takime është diskutuar mbi zbatimin e ligjit, pos tjerash, edhe me ndërlidhjen e kompetencave në zbatimin e ligjit në mes të institucioneve.

Grupi punues gjatë mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit u ka dërguar të gjitha misioneve konsullore një pyetësor në mënyrë që të grumbullojë sa më shumë të dhëna lidhur me zbatimin e ligjit në terren. Këtij pyetësori i janë përgjigjur pesë nga gjashtëmbëdhjetë misionet konsullore të kontaktuara.

Sa i përket kapaciteteve për të qenë funksionale në nivelin që kërkohet, Grupi punës vlerëson se disa nga misionet e kanë të nevojshme plotësimin e stafit konsullor. Vlerësohet gjithashtu se disa nga misionet konsullore kanë pasur sfida financiare, por se ato nuk kanë ndikuar në punën e drejtpërdrejtë të tyre.

Grupi punues gjatë punës së tij rreth mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për shërbimin konsullor të misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, vlerëson se ky ligj është zbatuar në një formë relativisht të kënaqshme dhe është duke e përmbushur shumicën e objektivave të tij, kurse ka ardhur në përfundim se shërbimet konsullore të Republikës së Kosovës, bazuar në infrastrukturën ligjore dhe autorizimet e tyre, janë duke i përmbushur obligimet e tyre.

Misionet konsullore të Republikës së Kosovës, si institucione të reja kanë nevojë për mbështetje në krijimin e kushteve më të mira hapësinore dhe rritje të numrit të stafit aty ku parashtrohet nevoja, thuhet në raport.

Në takim kanë folur edhe anëtarët e tjerë të grupit punës: Blerta Deliu- Kodra, Zafir Berisha dhe Qerim Bajrami.

Kryetari i komisionit, Enver Hoxhaj ka shfaqur brengosjen e tij për mosemërimin e anëtarit të komisionit nga Lista Serbe. Të njëjtën brengë e kanë shfaqur edhe anëtarët e tjerë të Komisionit, duke e autorizuar Hoxhaj që t’i drejtohet kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, që çështjen ta shtrojë në Kryesinë e Kuvendit.

Ata, ndërkaq, janë pajtuar që refuzimi nga Lista Serbe për të emëruar anëtarin e saj në Komisionin për Punë të Jashtme gjithsesi duhet të diskutohet edhe në koalicionin qeverisës të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat