Komiteti i Arsimit miraton raportin e punës së drejtorisë

Kosova

Komiteti i Arsimit miraton raportin e punës së drejtorisë

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 14:45

Komiteti për Arsim (KA) ka miratuar të mërkurën raportin e drejtorisë së linjës për periudhën janar-qershor 2015, me vërejtjet e anëtarëve dhe e ka rekomanduar për Kuvend Komunal.

Arben Mehmeti, kryesues i KA, ka thënë se janë munduar ta ndihmojnë drejtorinë e Arsimit në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me këtë sektor, duke nënvizuar se ky Komitet ka marrë vlerësim pozitiv edhe nga shoqëria civile, e cila ka monitoruar punën e asamblesë komunale.

Raportin e drejtorisë së Arsimit, të cilin e ka prezantuar drejtori Nazmi Musa, opozita (PDK e VV) e ka vlerësuar përshkrues dhe të mangët, ndërkohë kanë bërë vërejtje te ndalesa e pagave për shkak të mungesave me arsye në punë, trajnimet, emërtimet e shkollave, konkursin për vendet e reja të punës, zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve sipas ligjit mbi shërbyesit civilë dhe të tjera.

Ndërkaq, përfaqësuesit e LDK-së në KA, janë shprehur të kënaqur me raportin si dhe me punën e drejtorisë së Arsimit.

Nazmi Musa ka thënë se raporti është një material përmbledhës për punën e bërë në këtë periudhë dhe nuk është dosje për një temë të caktuar, që duhet të përmbajë të gjitha detajet.

Musa ka dhënë përgjigje në të gjitha çështjet e ngritura nga përfaqësuesit e opozitës, Fehmi Sylejmani (VV), Shukrije Rapuca (PDK), Leonora Bunjaku (PDK), sikurse edhe të atyre të pozitës, Rashit Sahiti e Florina Jerliu (LDK).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat