Plani i “çeliktë” i opozitës për bllokimin e Kuvendit (Video)

Kosova

Plani i “çeliktë” i opozitës për bllokimin e Kuvendit (Video)

Më: 29 korrik 2015 Në ora: 13:15

Nofkën që e ka pasur gjatë kohës së luftës, Fatmir Limaj po e përdor 16 vjet pas luftës, por tash për krejt diçka tjetër.
I “çeliktë” mund të quhet propozimi i tij që ditën kur të sillen sërish në parlament amendamentet kushtetuese për krijimin e Gjykatës Speciale, të bllokohen hyrje daljet e sallës së Kuvendit.

Në stilin e ngjashëm siç kishte vepruar Vetëvendosje kur qe votuar marrëveshja e Brukselit, partitë opozitare po planifikojnë që të bllokojnë punën e Kuvendit të Kosovës edhe në seancën kur do të votohej Gjykata.

“Qëllimi është që deputetët e opozitës me trupat e tyre të bllokojnë hyrje daljet e sallës ku mbahet seanca dhe të mos lejojnë hyrjen e deputetëve të shumicës”, ka thënë në kushte anonimiteti një zyrtar i lartë i njërës prej partive opozitare në Kosovë.

Natyrisht se pos Nismës, aksioni mbështet fuqishëm edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, por ende nuk e ka përkrahjen e liderit të AAK-së Ramush Haradinaj.

Burime të TV Dukagjinit, kanë bërë të ditur se Haradinaj ka dilema nëse kundërshtimi për Gjykatën duhet të shkoj deri në një veprim të tillë.

Shefi i Grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca nuk e ka konfirmuar ekzistimin e planit të tillë por ka thënë se sjellja edhe njëherë e amendamenteve në Kuvend do të ishte veprim jodemokratik.

“Do te kemi disa takime të subjekteve që të definojmë kornizën e kundërshtimit”, ka thënë Konjufca.

Riprocedimin e nenit 24 nga Qeveria e Kosovës shefja e GP të AAK-së, Donika Kadaj Bujupi e vlerëson si vrasje për demokracisë.

“Ne konsiderojmë që Kuvendi e ka thënë fjalën e vetë”, ka thënë Kadaj Bujupi.

Përfundimisht gjykata speciale pritet të votohet pasi që kryeministri Isa Mustafa do t`i kërkoj mbledhje të jashtëzakonshme Kuvendit të Kosovës, pas sigurisë që ka marrë se vartësi i tij Hashim Thaçi tashmë i ka të sigurta votat e mjaftueshme.

Opozita, sipas burimeve, në rast se e organizon bllokimin sipas idesë së Fatmir Limajt, do të arsyetojë atë pikërisht duke thënë se po e mbrojnë demokracinë e cila sipas tyre e po shkelet për shkak se deputetëve po u kërkohet që për të njëjtat amendamente të japin edhe njëherë votën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat