Gjetaj: Gërxhaliu është i papërgjegjshëm

Kosova

Gjetaj: Gërxhaliu është i papërgjegjshëm

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 20:19

Kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Prenk Gjetaj, duke folur lidhur me ndërprerjen e gërmimeve në jug të Mitrovicës, që nisën me dyshimin për një varrezë masive të personave të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, e ka akuzuar Arsim Gërxhaliun për qasje të papërgjegjshme dhe të gabuar.
Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu ka thënë sot se gërmimet janë ndërprerë për shkak të thellësisë së pusetës dhe për arsye të mungesës të pajisjeve dhe mjeteve adekuate që duhen për gërmim.

Gërxhaliu në intervistën e tij në emisionin e mëngjesit, në Klan Kosova, ka drejtuar një sërë akuzash ndaj kreut të komisionit për të pagjeturit, Prenk Gjetaj.

Ai ka thënë se Gjetaj nuk e ka kryer punën si duhet sepse komisionit parlamentar për të pagjeturit i mungon lista unike që duhet ta kenë për të zhdukurit.

Mirëpo, Prenk Gjetaj u shpreh se gabimi është bërë kur është dhënë lajmi se ka dyshime për një varreze masive pa u ekzaminuar vendi i dyshuar.

“Doktor Gërxhaliu nuk është dashur ta japë lajmin pa u përgatitur. Ka dy muaj që nuk është zhvilluar asnjë aktivitet. Urdhëresa është prej 11 majit dhe ata nuk e kanë vizituar asnjëherë vendin. Nuk duhet të jepet lajmi dhe të shqetësohen familjarët. Atje shkohet tek sot dhe vërtetohet se mungojnë pajisjet. Kjo është qasje e papërgjegjshme dhe e gabuar”, tha Gjetaj në Info Magazine të Klan Kosovës.

Ai tha se çdo gjë duhet të jetë transparente, por jo në raste kaq të ndjeshme ku ka shumë familjarë të shqetësuar.

“Çdo gjë duhet të jetë transparente, por para se të verifikohej situata nuk është dashur të njoftohej opinioni. Kanë shkuar aty pa njoftuar paraprakisht se ku është vendi dhe çka duhet. Familjarët kanë kërkuar lokacionin me shqetësim”.

Sipas Gjetajt, kjo nuk është një qasje e duhur.

“Qasja ka qenë e gabuar sepse nëse ka munguar kompania kontraktuese nuk ka munguar mundësia për ta shikuar vendin dhe për të parë se çfarë pajisje duhen. Kjo është qasje e papërgjegjshme”, tha ai.

Gjetaj është shprehur se Gërxhaliu nuk është përgjegjës në këtë fushë.

“Doktor Gërxhaliu nuk është anëtar i komisionit. Ai duhet të tregojë se ekipet e EULEX-it nuk e pyesin fare për gërmimet vlerësuese. Nuk parashihet pjesëmarrja e vendorëve. Gërxhaliu duhet të tregojë se sa i përket gërmimeve vlerësuese nuk ka qasje dhe nuk e pyet askush. Komisioni qeveritar udhëheq, monitoron gërmimet, dhe bashkëpunon me të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë”.

“Mjekësia ligjore po dështon dhe ne nuk kemi qëllim t’ua marrim punën, por kjo papërgjegjësi është dashur të shikohet nga institucionet përgjegjëse”.

Ai tha se këto gërmime duhet të rifillojnë, por duhet përgatitje paraprake për këtë.

“Sigurisht se vlerësimet duhet të fillojnë dhe të përfundojnë, por duhet përgatitje serioze për çdo gërmim”, tha Gjetaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat