Komuna e Klinës investon 300 mijë euro në asfaltimin e rrugëve

Kosova

Komuna e Klinës investon 300 mijë euro në asfaltimin e rrugëve

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 18:59

Komuna e Klinës, ka nisur realizimin edhe të një projekti të rëndësishëm infrastrukturor. Zyrtarisht, sot, kanë nisur punimet në asfaltimin e rrugëve në lagjet e fshatit Dobërdol të Klinës. Behet fjale për 3560 metra rrugë për të cilën do të investohen 292 mijë euro. Me 30 mijë euro kanë participuar komuniteti ndërsa pjesa tjetër është prej buxhetit komunal.

Në ceremoninë e rastit të përurimit të fillimit të punimeve në të cilën kanë marrë pjesë zyrtarë të Komunës së Klinës, fshatarë të Dobërdolit, kryetari i Komunës së Klinës Sokol Bashota, tha se Komuna e Klinës sot po e nis edhe një projekt të rëndësishëm që do të ndikojë në mirëqenien e qytetarëve të këtij fshati.

“Banorëve të këtij fshati nga sot do t’u krijohen lehtësi dhe lëvizje më e mirë. Kjo tregon përkushtimin e pushtetit lokal për të ndihmuar komunitetin. Sot ndodhemi para një evenimenti të rëndësishëm jo vetëm për qytetarët e këtij fshati, por edhe për tërë Komunën e Klinës. Meritat i kanë edhe bashkatdhetarët duke dhënë kontribut modest për asfaltimin e rrugëve ”, ka thënë Bashota i cili bashkërisht me kryeplakun e fshatit kanë prerë shiritin që ka shënuar fillimin e punimeve të rrugëve në lagjet e këtij fshati.

Kryetari Bashota pohoi se ky nuk është projekti i fundit që do të realizohet në këtë fshat dhe premtoi edhe projekte të tjera që do të ndikojnë në lehtësimin e jetës së këtyre banorëve. Fëmijët e këtij fshati më parë kanë ecur nëpër rrugën e baltosur 3 km të gjatë për të shkuar në shkollë, kurse tash falë investimeve të Komunës së Klinës, do të krijohen lehtësi në lëvizje jo vetëm për fëmijët, por edhe për banorët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat