Mbahet mbledhja e parë e Grupit Punues për Çështje Tregtare dhe Adresimin e Barrierave Tregtare

Kosova

Mbahet mbledhja e parë e Grupit Punues për Çështje Tregtare dhe Adresimin e Barrierave Tregtare

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 18:45

Sot në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë u mbajt mbledhja e parë e Grupit Punues për Çështje Tregtare dhe Adresimin e Barrierave Tregtare, në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës. Në fjalën hyrëse, ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë znj. Hykmete Bajrami, njëherësh edhe kryesuese e këtij grupi ritheksoi nevojën e vazhdimit të agjendës ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ajo më tej shtoi se ky takim përveç që është një takim konstituiv po ashtu në rend dite ka analizën e gjendjes aktuale në tregtimin me qumësht dhe produkte të qumështit si dhe barrierat tregtare të vendosura nga vendet e rajonit.
Nga të dhënat që u paraqitën në takim nga anëtarë të institucioneve të ndryshme brenda këtij grupi punues, u tha se në bazë të të dhënave të deritanishme nuk kemi bazë ligjore për ndërmarrjen e masave anti-dumping dhe masave mbrojtëse.

Grupi punues në kuadër të Departamentit të Tregtisë pasi të kompletojë të dhënat e kërkuara nga shtetet e BE-së dhe ambasadat tona në këto vende, do të shikojë mundësitë e vendosjes së masave anti-dumping, në rast të përmbushjes së kushteve që kërkon ligji për masa anti-dumping. Gjithashtu statistikat e prodhimit vendor të vërtetohen nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe pas rekomandimeve të veçanta të merren masa konform kësaj situate.

Grupi po ashtu diskutoi një varg çështjesh të cilat kanë të bëjnë me eliminimin e të gjitha barrierave tregtare, qofshin ato barriera jo-tarifore apo teknike, doganore apo administrative si dhe ato te lidhura me rregullat e origjinës dhe fushën e masave sanitare e fito sanitare.

Pas analizës dhe paraqitjes së të dhënave sa i përket barrierave tregtare të vendit tonë me vendet e rajonit dhe për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë të këtyre çështjeve që i sfidojnë bizneset gjatë tregtimit të produkteve të tyre, grupi mori vendim që mekanizmi rajonal i CEFTA-së të shërbejë si mekanizëm kryesor për adresimin dhe zgjidhjen e problemeve si dhe takimet bilaterale me vendet e rajonit.

Mbledhja e radhës e Grupit Punues për Çështje Tregtare dhe Adresimin e Barrierave Tregtare, në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik do të mbahet me 20 gusht 2015, kur do të paraqiten të dhëna e plotësuara para mbledhjes së tretë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe do të shikohen mundësitë për ndryshimet eventuale në ligjet për masa mbrojtëse dhe masa anti dumping.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat