​Qeveria e vonuar në emërimin e zëvendësministrave

Kosova

​Qeveria e vonuar në emërimin e zëvendësministrave

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 17:11

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa vazhdon të neglizhojë emërimin e zëvendësministrave nëpër dikasteret përkatëse pavarësisht se kanë kaluar me shumë se shtatë muaj që prej marrjes së mandatit për drejtimin e Qeverisë.

Mustafa në fillim të mandatit pati premtuar se brenda një muaji do të plotësojë kabinetin me gjithë zëvendësministrat, por kjo nuk ndodhi.

Gjatë javës që shkoi, kryeministri ka emëruar në postin e zëvendësministrit të Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Mendim Rugovën, djalin e ish- presidentit Ibrahim Rugova.

Në Qeveri thonë se deri në fund të këtij vitit do të emërohen të gjithë zëvendësministrat. Por opozita dhe shoqëria civile, këtë neglizhencë të Mustafës po e shohin brenda logjikës së funksionimit të Qeverisë Mustafa, me veprime, vendime dhe hapa të ngadalshëm.

Mirëpo, zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi tha për KosovaPress, se vonesat në emërimin e zëvendësministrave janë bërë për shkak të identifikimit të njerëzve profesional në fushën për të cilën emërohen në postin e zëvendësministrit, e po ashtu edhe bashkëpun ëtor i ekipit të ministrit.

Abrashi: Besojmë se deri në fund të vitit emërojmë të gjithë zëvendësministrat

“Çka është me rëndësi, është që ende nuk janë emëruar të gjithë zëvendësministrat në të gjitha dikasterët, mbesin edhe disa ministri që janë pa zëvendësministra. Besoj se edhe kjo gjatë periudhës të verës do të emërohen edhe disa tjerë dhe besoj në fund të vitit të plotësohet numri i të gjithë zëvendësministrave në të gjitha ministritë. Javën e kaluar janë bërë edhe disa emërime në MSH, MAPH, dhe njëri prej tyre është Mendim Rugova. Është vendim politik i partisë dhe kryeministrit në këtë rast, është menduar në kabinetin e kryeministrit që Mendimi i plotëson kushtet edhe profesionale edhe i ka shkathtësitë e nevojshme që të ushtrojë atë detyrë”, tha Abrashi.

Megjithatë, deri me tani janë emëruar 28 zëvendësministra, por mbetën edhe disa ministri që ende nuk kanë zëvendësministra, siç është Ministria e Punëve të Brendshme.

E, zëdhënësi Abrashi thotë se ideja e emërimit të zëvendësministrave ka qenë dhe është që të emërohen sa më profesional, dhe në faza, e jo të gjithë përnjëherë, po ashtu siç janë sjell emrat nga partitë politike në bashkëqeverisje.

Mirëpo, ndryshe po e sheh këtë opozita. Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha për KosovaPress, se përveç numrit të madh të zëvendësministrave, kjo Qeveri po neglizhon edhe emërimin e tyre, sepse po e bënë vetëm sa për t’ia dhënë një pagë dikujt, e jo për të kryer punë sipas interesave të qytetarëve.

Lekaj: Emërimi i zëvendësministrave sa për t’i plotësuar dëshirat e partive

“Ne kemi dhënë kritika se është Qeveria me numrin me të madh të zëvendësministrave, kur dihet numri i banorëve të Kosovës, prandaj me gjithë këtë e sheh seriozitetin e Qeverisë...Mirëpo, po shihet me neglizhencën e Qeverisë që nuk janë të domosdoshëm të jenë numër kaq i madh dhe një Ministri të ketë tre apo katër zëvendësministra, vetëm për t’i kënaqur apetitet politike apo të jetë fontanë dëshirash dhe jo për ndonjë efikasitet të punës së tyre. Prandaj edhe kjo neglizhencë shkon në disfavor të qytetarëve dhe mendoj që kjo Qeveri është e përgjumur dhe mendoj që i cakton këta zëvendësministra vetëm sa për të kënaqur partitë politike dhe për të marr një pagë dhe jo për të punuar dhe ndryshuar pozitivisht në relacion me atë çka kërkojnë qytetarët dhe vendi”, theksoi Lekaj.

Vonesa në kompletimin e dikastereve qeveritare me postet e zëvendësministrave, për drejtorin ekzekutiv të Lëvizjes FOL, Petrit Zogaj, është brenda logjikës së funksionimit të kà «saj Qeverie, e cila po vepron me hapa të ngadalshëm dhe të vonuar.

Zogaj: Vonesat në emërimin e zëvendësministrave, brenda logjikës së kësaj Qeverie

“Me gjithë vonesën, po besoj është brenda logjikës së vonuar të kësaj Qeverie, pra është një qeveri të hapave të ngadalshëm, e veprimeve të ngadalshme, të vonuara gjithsesi, pra është brenda logjikës së saj se si funksionon edhe kompletimi i mandateve të zëvendësministrave e tutje. Ndoshta mund të besonim se këto vonesa mund të vinim nga një analizë e mirëfilltë e Qeverisë që fillimisht të mat performancën e ministrave pastaj për të ardhur të emërimi i zëvendësministrave, por kjo nuk është rasti ynë, por është rasti i një qeveri e cila nuk merr vendime ose merr me shumë vonesë dhe merr vendime të kontestuara”, tha Zogaj.

Zogaj nuk i beson qëndrimit të zyrtarëve qeveritarë se vonesa po ndodh si pasojë e analizimit të njerëzve për të gjetur profesionistë.

Në bazë të ministrive, Qeveria e Kosovës do t’i ketë me shumë se 50 zëvendësministra, meqë në disa ministri janë të emëruar deri në tre zëvendësministra. Shoqëria civile dhe opozita kanë kritikuar ashpër Qeverinë se po bën harxhime të jashtëzakonshme me emërimin e shumë zëvendësministrave që shumica nuk dinë se çka bëjnë. /B. Syla/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat