Ndërpriten gërmimet për gjetjen e varrezës masive

Kosova

Ndërpriten gërmimet për gjetjen e varrezës masive

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 15:20

Janë ndërprerë gërmimet e rifilluara sot në jug të Mitrovicës nga Mjekësia Ligjore që nisën me dyshimin për një varrezë masive, të personave të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu tha për Klan Kosovën se gërmimet janë ndërprerë për shkak të thellësisë së pusetës.

“Punimet janë ndërprerë për shkak të thellësisë së pusetës dhe punëtori jonë nuk është ndier mirë pasi aty është një sasi e madhe e monoksid karbonit, në mungesë të pajisjeve dhe mjeteve adekuate na është dashur t’i ndërpremë gërmimet”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu u shpreh se përballë kësaj situate të krijuar ata janë konsultuar edhe me ekspertë të EULEX-it dhe tani kanë dy alternativa për vazhdimin e gërmimeve.

“Janë dy alternativa që mendojmë t’i aplikojmë për vazhdimin e punës, njëra është të kërkojmë ndihmë nga Forca e Sigurisë së Kosovës të asistojnë më mjetet e tyre bombola oksigjen dhe pajisje tjera si dhe me staf profesional. Alternativa e dytë është hapja e një kanali me eskavatorë”, u shpreh Gërxhaliu.

Ky proces u vonua tash e dy muaj pasi nuk ishte kontraktuar asnjë kompani që gërmon me eskavatorë.

Ndryshe, ditë më parë familjarët dhe Komisioni Qeveritar për të pagjeturit e akuzuan departamentin e Mjekësisë Ligjore të EULEX-it që qëllimisht po e neglizhon punën dhe hulumtimin e varrezave masive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat