Ja plani i ri PDK-së për themelimin e Gjykatës Speciale!

Kosova

Ja plani i ri PDK-së për themelimin e Gjykatës Speciale!

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 10:24

Partia Demokratike e Kosovës, e ka menduar deri në detaje planin e ri se si ta riprocedoj, e ta kaloj Gjykatën Speciale në Kuvend, pa ndonjë problem të madh.

Pas dështimit të parë që ndodhi para një muaji, udhëheqësit e partisë më të madhe në vend, kanë përgatitur një plan apo strategji se si ta kalojnë amendamentin kushtetues në Kuvend, dhe pastaj votimin e tij, duke u munduar që në të njëjtën kohë të ketë sa më pak zhurmë e debat, kanë thënë burimet e Blic të afërta me procesin e themelimit të Gjykatës Speciale.

“Sipas të gjitha gjasave pritet që gjatë kësaj jave të riprocedohet në Kuvend amendamenti kushtetues, i cili do t’i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Me gjasë të premten do të mbahet seanca për votimin e Speciales”, ka thënë ky burim.

Gjithnjë sipas këtij burimi, sipas planit të menduar, mund të shkohet me thirrje të seancës së jashtëzakonshme nga ana e Kryeministrit.

“Nëse sot do të procedohej amendamenti kushtetues, deri të enjten do të ishte kohë shumë e gjatë, ku do të shtohej presioni në maksimum ndaj deputetëve dhe kësisoj do të vështirësohej edhe më shumë kalimi i Gjykatës Speciale”, ka thënë ky burim.

“Prandaj, është menduar që Kryeministri i Kosovës, të kërkoj seancë të jashtëzakonshme, dhe sipas të gjitha gjasave kjo do të ndodh ditën e premte”, ka thënë ky burim, duke shtuar se nëse kjo nuk ndodh të premten, atëherë sipas të gjitha gjasave do të mbetet për muajin shtator.

Një deputet i PDK-së, në kushte anonimiteti i ka thënë Gazetës Blic që shefat e partisë kanë kërkuar nga ta, që gjatë këtyre ditëve të qëndrojnë në Kosovë, ose edhe nëse shkojnë në pushime të jenë afër, në mënyrë që të mund të kthehen për seancën e Kuvendit, ku do të diskutohej për Gjykatën Speciale. “Me gjasë do të thirret seancë e jashtëzakonshme”, ka thënë ky deputet.

Në anën tjetër, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, nuk është diskutuar për Gjykatën Speciale.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, që ka udhëhequr mbledhjen e kryesisë ka thënë se në rast se qeveria procedon amendamentet brenda javës ata përsëri do të mblidhen dhe këtë çështje do ta trajtojë në një seancë brenda javës.

Ndërkohë, nga Qeveria e Kosovës vazhdojnë të heshtin. Gazeta Blic tash e katër ditë është duke pritur përgjigje nga ekzekutivit, mirëpo ende nuk ka marrë përgjigje se kur do të riprocedojnë në Kuvend amendamentin kushtetues.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë ka thënë për Radion Evropa e Lirë se gjatë kësaj kohe është punuar në grupin parlamentar të kësaj partie, si dhe deputetet e saj, që të sqarohen arsyet pse duhet të votohen ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Sipas tij, janë kërkuar garanci që procesi i gjykimeve të jetë i drejtë, i paanshëm, i pandikuar, të ketë barazi të palëve, si dhe që arkivat t’i kthehen Kosovës.

“Ne kemi punuar me deputetët, të cilët nuk kanë votuar. Shqetësimin, pikërisht, e kanë pasur këtu këta deputetë, të cilët kanë pasur këto kërkesa dhe këto shqetësime. Ne, tashmë, pothuajse, jemi të sigurt se do të kemi garanci dhe do të ishte jologjike që të mos marrim garanci nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian, që do të kemi një proces të drejtë, transparent dhe të pandikuar. Pas, këtyre bisedave edhe me këta deputetë, ne kemi marrë përkrahjen, pothuaj, edhe të tyre”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, partitë opozitare vazhdojnë ta kundërshtojnë themelimin e saj.

Sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi thotë se opozita nuk është kundër themelimit të Gjykatës Speciale, mirëpo jo në versionin si është tani. Ai në një intervistë ka thënë se Gjykata Speciale duhet të ridizajnohet.

“Nisma asnjëherë nuk është deklaruar kundër themelimit të Gjykatës Speciale, e cila do të hetonte dhe gjykonte të gjitha krimet që janë kryer gjatë luftës në territorin e Kosovës. Nisma është angazhuar dhe do të angazhohet që mënyra si është dizajnuar kjo gjykatë të mos kalojë”, ka thënë Sherifi.

Saktësisht para një muaji, 13 deputetë të PDK-së i thanë JO Gjykatës Speciale. Prej tyre 7 votuan kundër, dy abstenuan dhe katër të tjerë i ikën votimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat