Hashim Thaçi mashtron Partinë Konservatore në Prizren

Kosova

Hashim Thaçi mashtron Partinë Konservatore në Prizren

Më: 27 korrik 2015 Në ora: 18:45

Lideri i PDK-së Hashim Thaçi, nuk është treguar i fjalës në raport me Partinë Konservatore në Prizren. Ai ende nuk ka respektuar marrëveshjen parazgjedhore PDK-PK, të nënshkruar vitin e kaluar. Në këtë marrëveshje Thaçi, kishte premtuar postin e zëvendësministrit për Partinë Konservatore.

Edhe pse është barë gati një vit nga formimi i Qeverisë në mes PDK-së dhe LDK-së, Hashim Thaci, nuk ka propozuar asnjë emër për zëvendësministër nga PK-ja. Ai deri më tash ka rehatuar në postet e zëvendësministrave, vetëm anëtarët e partisë së tij.

Kryetari i Partisë Konservatore në Prizren, Munir Basha thotë se ende janë në pritje të realizimit të marrëveshjes me PDK-në.

“Ende jemi në pritje të implementimit të marrëveshjes”, thotë Basha për “PrizrenPress”.

Ai tregon se për këtë çështje, ka zhvilluar disa takime me zyrtarët e PDK-së.

“Kam pas disa takime me krerët e PDK-së. Fjalët janë se shumë shpejt do të realizohet marrëveshja. Po presim që gjatë kësaj jave të behet emërimi i zëvendësministrit nga radhët e Partisë Konservatore”.

Partia Konservatore(PK) në zgjedhjet e 8 qershorit pat garuar bashkë me PDK-në.

Ky subjekt politik pat nënshkruar edhe një marrëveshje parazgjedhore.

“Kjo marrëveshje ofron jo vetëm hapësirë për afirmimin e PK-së, por edhe respekton subjektivitetin e PK-së, si subjekt politik,gjë që subjektet tjera nuk na ofronin”,pat vlerësuar Basha, pas nënshkrimit të marrëveshjes me PDK-në.

.Në këtë koalicion parazgjedhor PK -ja garoi me një kandidat për deputet të Parlamnetit të Kosovës. Kandidati Munir Basha nuk arriti të fitojë votat e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e Parlamentit.

Ndërkaq, burimet e “PrizrenPress”-it brenda PDK-së, bëjnë të ditur se marrëveshja me PK-në, deri më tash nuk është respektuar për shkak ndryshimeve politike, që mund të ndodhin në Prizren, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, ndaj kryetarit të Komunës Ramadan Mujës dhe “shokëve të tij”. Sipas të njëjtave burime, nëse Prizreni shkon në zgjedhje të parakohshme, PDK-ja në këmbim të postit të zëvendësministrit, do të kërkojë nga PK-ja të mbështesë kandidatin e saj, për kryetar të Prizrenit.

Kryetari i Partisë Konservatore,Munir Basha, shpreson se marrëveshja me PDK-në do të jetësohet. Ai tregon se nga takimet që ka zhvilluar me zyrtarët e PDK-së nuk ka parë se kanë “luajtur fjalët”.

“Po shpresojmë që kësaj here marrëveshja, do te respektohet, së paku në bazë të fjalëve të tyre”,thotë Basha./PrizrenPress

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat