Temperaturat e larta shtojnë numrin e pacientëve

Kosova

Temperaturat e larta shtojnë numrin e pacientëve

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 22:12

Ikën ditët e freskëta që karakterizuan ditët e para të korrikut. Vapa e madhe ka kapluar Kosovën.

Temperaturat e larta deri në 34⁰C kanë ngritur edhe numrin e pacientëve nëpër qendrat spitalore. Emergjenca është mbushur me pacientë që janë prekur nga të nxehtit. Brenda ditës trajtohen deri në 150 pacientë. Por derisa emergjenca vlon nga ata që kërkojnë ndihmë mjekësore, qendrat e mjekësisë familjare në kryeqytet janë të zbrazëta. Sido që të jetë, mjekët rekomandojnë shmangie nga temperaturat e larta.

Drejtori i Emergjencës, Basri Lenjani, thotë se shumë nga këta pacientë mundë të trajtohen edhe në shtëpitë e shëndetit, mirëpo një gjë e tillë zbatohet shumë rrallë nga pacientët.

“Goditja nga dielli është një emergjencë jetë kërcënuese e cila manifestohet me çrregullim të mekanizmave termorregullues e cila mund të manifestohet me çrregullime vaskulare, neurologjike etj. Këshilla jonë profesionale është se të gjithë të sëmurit kronik mos të dalin në rreze dielli nga ora 11 deri në ora 17 sepse 90% të rrezeve të diellit i absorbojnë eshtrat e kafkës dhe 1% e tyre kalon tek indet e eshtrave trunor duke shkaktuar probleme të ndryshme”, tha Lenjani.

Përderisa Qendra Emergjente përballet me fluks të pacientëve, në shtëpitë e shëndetit vizitat e tyre janë më të rralla.

“Gjatë këtyre dy ditëve të fundit temperaturat janë vërtet të larta mirëpo fluksi i pacientëve është i njëjtë, unë po mendoj se tani më qytetarët janë vetëdijesuar se si të mbrohen nga të nxehtit”, tha mjekja familjare, Bukurie Shala.

Mjekët thonë se shenjat e sëmundjes nga ekspozimi i gjatë në diell vërehen pas gjashtë orëve dhe apelojnë që edhe fëmijët dhe ata që vuajnë nga sëmundjet kronike, mos të ekspozohen në temperatura të larta, të marrim lëngje deri në 2 litra në ditë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat