Kërkohet rol më aktiv i Jahjages për Gjykatën Speciale

Kosova

Kërkohet rol më aktiv i Jahjages për Gjykatën Speciale

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 21:49

Përderisa grupet parlamentare politike në vend ende nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët për themelimin e Gjykatës Speciale, Presidentja e vendit, si faktor unifikues...

Përderisa grupet parlamentare politike në vend ende nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët për themelimin e Gjykatës Speciale, Presidentja e vendit, si faktor unifikues në bazë të kushtetutës, vazhdon ta ketë një rol pasiv në këtë drejtim.Ndonëse puna e saj formalisht ka përfunduar me letërkëmbimin me Bashkimin Evropian, njohës të zhvillimeve politike e shohin si të domosdoshme përfshirjen e saj për të arritur konsensus kombëtar për t'i thënë Po ose Jo themelimit të Gjykatës Speciale.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare Afrim Hoti, thotë se në këtë situatë, presidentja duhet të aktivizohet, të paktën të dalë e të japë rekomandimet e veta se si të ecet më tutje.

“Duke pasur parasysh tashmë situatën e një udhëkryqi mes një PO-je dhe JO-je për një vendim kaq fundamental, mendoj se është i nevojshëm një konsensus kombëtar. Presidentja do të duhej të ishte në ballë të këtij procesi dhe të inkurajonte subjektet politike që kësaj çështje ti jepte drejtimin e duhur”, tha shefi i departamentit të shkencave politike në UP, Afrim Hoti.

Edhe njohësi i zhvillimeve politike, Driton Lajçi, mendon se në momentin që presidentja Jahjaga e ka adresuar çështjen e themelimit të Speciales tek institucionet vendore, atëherë ajo duhet të aktivizohet për të biseduar me grupet parlamentare.

"Natyrisht se presidentja i ka argumentet e veta që të bindë që të votohet. Ajo dhe zyra e saj do të duhej të ishin më kreativ në këtë drejtim", tha ai.

RTK ka tentuar që të marrë një qëndrim nga zyra e presidentes nëse ajo do të aktivizohet për ta çuar përpara konsensusin e mundshëm për votimin e Gjykatës Speciale, mirëpo zëdhënësi i saj, Arbër Vllahiu, ka thënë se nuk dëshiron të flasë për një gjë të tillë. Sidoqoftë, përmes paraqitjeve të saj publike më herët, presidentja Jahjaga ka theksuar domosdoshmërinë e votimit të kësaj Gjykate.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat