Kavalierët e komunave të Kosovës

Kosova

Kavalierët e komunave të Kosovës

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 16:29

Ramadan Muja, Shpend Ahemeti e Ragip Begaj mund të llogaritën kryetarët me kavalier të komunave të Kosovës. Këta tre, kur kanë qenë në pyetje shpenzimet për telefona, derivate, dreka e udhëtime jashtë vendit, nuk kanë kursyer fare. Madje, në disa raste për këto lukse kanë bërë shpenzime edhe pa dhënë arsye.

Por, dallim nga ta nuk kanë fort edhe kryetarët e komunave të tjera të vendit. Shumica prej tyre, siç ka treguar Auditori i Përgjithshëm, gjatë vitit 2014 kanë bërë dallavere e shkelje të mëdha ligjore. Gazeta Fjala kësaj radhe sjell keqpërdorimet që janë bërë në telefona, derivate, dreka e udhëtime për disa komuna të Kosovës.

Prizreni
Ramadan Muja, që drejton Komunën e Prizrenit është kryetari që më së shumti ka bërë shpenzime në blerje të ushqimit. Muja dhe vartësit e tij brenda një dite pune kanë shpenzuar fiks 400 euro në dreka. Ndërsa, brenda një viti ky shpenzim ka shkuar në 111 mijë e 878 euro.
Auditori ka shpjeguar se dëshmitë për këto pagesa nuk përmbanin ndonjë agjendë të qartë të organizimit dhe personat që do të marrin pjesë. Madje ka treguar se shpenzimet për dreka zyrtare ishin më të larta se shpenzimet për subvencione për të sëmurët.

Prishtina
I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk e ka shpenzuar buxhetin sipas ligjit. Në këtë Komunë ka pasur humbje financiare në tenderin për naftë (për furnizim me naftë për shkolla, duke shkaktuar humbje financiare në vlerë prej 10,674 euro si pasojë e çmimit më të lartë), derisa janë paguar edhe dreka zyrtare pa asnjë arsye. Nuk kanë munguar edhe pagesa pa aprovime zyrtare.
Komuna, sipas Auditorit, kishte paguar pesë fatura në shumë totale 2,779 euro për mirëmbajtje dhe servisim të automjeteve, pa pasur aprovim nga zyrtari përgjegjës për menaxhimin e automjeteve.
“Rishikimi ynë ka identifikuar dy pagesa për dreka zyrtare në vlerë 1,595€, me ç’rast përveç faturës nuk kishte informata të mjaftueshme për qëllimin e drekës zyrtare dhe/apo listën e pjesëmarrësve. Kjo kishte ndodhur pasi që komuna nuk kishte arritur t’i respektojë plotësisht kërkesat e rregulloreve mbi pagesat”, ka thënë Auditori.

Malisheva
Komuna e Malishevës, nën drejtim e Ragip Bejat, ka shpenzuar gjatë vitit të kular 7 mijë e 346 euro në telefon. Kjo Komunë, sipas Auditorit për shpenzime telefonike ka marrëveshje me tre operatorë (Vala, Z-mobile dhe IPKO).
“Për më tepër, Komuna nuk ka ndonjë rregullore që përcakton nivelet e shpenzimeve për telefoni mobile nga ana e zyrtarëve të Komunës. Si rezultat, shpenzimet e zyrtarëve për telefoni mobile, në një pagesë të testuar, kanë rezultuar nga 5 deri në 57 euro në muaj”.
Derisa, një keqpërdorim më të madh kjo Komunë e ka bërë edhe me shpenzimet e derivateve. Sipas Auditorit, Komuna nuk ka arritur të vendosë një sistem për monitorimin e shpenzimeve të derivateve për automjetet zyrtare dhe, si pasojë, nuk posedon evidenca mbi këto shpenzime.
“Ne kemi identifikuar që gjatë muajve gusht, nëntor dhe dhjetor, në bazë të kontratës për furnizim me derivate për automjete zyrtare të Komunës, automjetet private të zyrtarëve komunaë ishin furnizuar me 10,114 litra derivate (12,238 euro), ndërsa automjetet zyrtare ishin furnizuar me 2,426 litra (2,935 euro). Me gjithë arsyetimin që këto shpenzime janë bërë për qëllime zyrtare, Komuna nuk posedon ndonjë evidencë të besueshme mbi sasinë e derivateve të shpenzuara dhe rregullsinë e këtyre shpenzimeve”.

Fushë Kosova
Komuna e Fushë Kosovës që drejtohet nga Burim Berisha, nuk ka kursyer fare buxhetin kur ka qenë në pyetje dhënia avans e parave. Kjo Komunë ka dhëne para për udhëtime zyrtare e festa të ndryshme . Madje, drejtues të kësaj komune kanë udhëtuar jashtë vendit edhe pa pasur ftesa fare.
“Ne nuk ishim në gjendje të konfirmojmë arsyeshmërinë e këtyre shpenzimeve për shkak se mungonin kërkesat e udhëtimit zyrtar, ftesa/agjenda e udhëtimit dhe detajet tjera”.
Mangësitë janë identifikuar në këto raste: “Avansi për udhëtimin zyrtar për në Shqipëri në vlerë prej 5,000 eurove, mungonte agjenda për udhëtim. Avansi për pritjen e mysafirëve nga Turqia në vlerë prej 3,000 euro për mbulimin e shpenzimeve gjatë qëndrimit në Kosovë, mungonte ftesa për mikpritjen. Avansi për udhëtimin zyrtar në Shqipëri në vlerë prej 4,000 euro, mungonte agjenda për udhëtim.
Ky institucion po ashtu kishte lidhur memorandum mirëkuptimi me 01.12.2014 me restorantin Ana-Benz në vlerë 6,000 euro.
“Pagesat ishin bërë më 18.12.2014, kurse fatura mban datën e 16.01.2015. Në faturë figuron ushqim dhe pije për 400 persona”, thuhet në raportin e Auditorit.

Gjakova
Komuna e Gjakovës, nën drejtimin e kryetares Mimoza Kusari-Lila ka bërë servisim të veturave private me para të buxhetit.
“Komuna e Gjakovës kishte bërë servisimin e veturës me targa të regjistrimit 01- 395-BH në vlerë prej 872 euro. Vetura e servisuar është veturë private dhe nuk gjendet në regjistrat e pasurisë së Komunës. Pas dorëzimit të draft-raportit, u sqarua se vetura ishte pronë e Mabetex Holding, në shfrytëzim të Kryetares së Komunës”, ka thënë Auditori. Por, në raport është shpjeguar se pas diskutimit të këtij rasti me kryetaren e Komunës, më 27.04.2015, paratë (872€) janë kthyer në llogarinë e Komunës.

Vitia
Kryetari i Komunë së Vitisë, Sokol Haliti, nuk ka bërë shpenzim në telefona, naftë e dreka sikurse kolegët e tij, por ai u ka dhënë paga asamblistëve edhe pa shkuar fare në mbledhje.
“Kuvendi i Komunës mblidhet një herë në muaj dhe për çdo mbledhje, anëtarëve pjesëmarrës në kuvend duhet t’u paguhen 125 Euro. Mirëpo, gjatë auditimit ne kemi vërejtur se Komuna e Vitisë i paguan anëtarët e kuvendit komunal edhe ne qoftë se ata nuk janë të pranishëm në ndonjë mbledhje. Në secilin nga procesverbalet e mbledhjeve të Kuvendit kishte mungesa të anëtarëve të Kuvendit. Përkundër kësaj, pagesat ndaj tyre ishin kryer”, ka thënë Auditori, duke bërë të ditur se shuma e parave për të cilën është dëmtuar buxheti i Komunës gjatë vitit në 2014 ishte 875 euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat