Lidhja e Historianëve nderon me mirënjohje kryetarin dhe nënkryetarin e Mitrovicës

Kosova

Lidhja e Historianëve nderon me mirënjohje kryetarin dhe nënkryetarin e Mitrovicës

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 15:38

Drejtuesit e Lidhjes së Historianëve "Ali Hadri", dega në Mitrovicë, Pajazit Hajzeri dhe Enis Kelmendi, kanë nderuar me mirënjohje kryetarin e komunës, Agim Bahtiri dhe nënkryetarin, Safet Kamberi, për kontributin e tyre institucional në organizimin e rivarrimit të eshtrave të gjeneralit të pavarësisë së Shqipërisë, Isa Boletini në Boletin.

Gjatë takimit kryetari Bahtiri, tha se këmbëngulësia që gjenerali Isa Boletini të rivarroset në Boletin, nuk është vetëm meritë e autoriteteve komunale, por e të gjithë qytetarëve të Mitrovicës. "Nuk ishte lehtë të kundërshtohet qëndrimi i nivelit me të lartë, relaksimi i qëndrimeve të strukturave ndërkombëtare dhe pajtimi në heshtje i gjithë procesit nga strukturat e komunave në veri, mirëpo së bashku mund të arrihet çdo gjë. Ne kishim qëllimin e mirë dhe e kishim obligim varrosjen e eshtrave aty ku lindi, jetoi, frymoi e luftoi me vite gjenerali Isa Boletini, por e patëm edhe mbështetjen e qytetarëve tanë në këtë drejtim dhe kjo u arrit", tha kryetari Bahtiri.

Hajzeri vlerësoj se rivarrimi i eshtrave të heroit, Isa Boletini në Boletin, është ngjarja më e rëndësishme në qytetin e Mitrovicës, ndërkaq qëndrimi i institucioneve lokale dhe personalisht ai i kryetarit Bahtiri, që rivarrimi të bëhet në Boletin dhe jo në Vlorë, është qëndrim parimor që meriton vlerësim, aq më shumë që ai u përqafua dhe u mbështet edhe nga qytetarët tjerë të Mitrovicës. “Andaj ne duam të ju nderojmë me mirënjohje për kontributin dhe qëndrimin tuaj", tha Hajzeri.

Historiani Kelmendi, tha se meritat më të mëdha për këtë i ka kryetari Bahtiri. “Ishte meritë e institucioneve që drejtoni dhe e juaja që ceremonia u organizua dhe u krye në Boletin, aty ku meritonte të rivarroset kryetrimi. Vendimet e drejta u mbështeten edhe nga qytetarët, si është rasti i mbështetjes gjithë popullore të presidentit Dr. Rugova gjatë kohës së organizimit paralel", theksoj ai./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat