Tahiri: Asociacioni s’do të ketë pushtet ekzekutiv

Kosova

Tahiri: Asociacioni s’do të ketë pushtet ekzekutiv

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 15:18

Me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk do të ketë një nivel të tretë të pushtetit ekzekutiv dhe ky asociacion nuk do të ketë bord ekzekutiv, siç po spekulohet nëpër media serbe.

Kështu ka deklaruar Ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, në një konferencë për media me temën "Asociacioni/Bashkësia - dy emra, dy qëllime", ku Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale publikoi të gjeturat nga studimet lidhur me formimin e asociacionit të komunave serbe.
Për këtë gjë, ajo garantoi që ky asociacion do të themelohet dhe do të funksionoj plotësisht në pajtim me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Edhe pse kam dëgjuar në media nga palët serbe se do të ketë një bord dhe një këshill ekzekutiv, mund të ju siguroj që nuk do të ketë bord ekzekutiv, por do të jetë bordi, siç është edhe këshilli, kryetari dhe asamblistët e asociacionit... Unë mund të ju siguroj që, asociacioni do të themelohet dhe do të funksionoj plotësisht në pajtim me kushtetutën dhe ligjet e Koso vës dhe frika që keni se a do të kemi një nivel të tretë të pushtetit ekzekutiv dhe ndonjë asimetri në qeverisje të tjera, ju garantoj që asnjë prej tyre nuk do të ndodhë”, tha Tahiri.

Po ashtu, ajo bëri të ditur se ky asociacion nuk do të mund të marr vendime në emër të komunave.

“Asociacioni mund t’i bëj të gjitha këto detyra, por nuk mund të marr vendime në emër të komunave. Me fjalë të tjera asociacioni nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive, sepse me ligjet e Kosovës, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës ne kemi në sistemin tonë politike dy nivele ekzekutive, atë qendrorë dhe lokal dhe ligji për vetëqeverisjen lokale e bënë të qartë që kompetencat ekzekutive të komunave janë ekskluzive për komunat dhe nuk janë të transferueshme në një tjetër nivel”, tha Tahiri”, shtoi ajo.

Me këtë rast, drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, japi disa rekomandime të cilat kanë dal nga studimet e bëra nga ky institut.

“Si qeveri duhet ta kemi parasysh që me këtë vendim ne do të jetojmë, do të thotë Kosova do të jetoj për shumë vite me këtë vendim, për këtë arsye është shumë e rëndësishme që delegacioni të jetë shumë i kujdesshëm, dhe të mbroj fuqishëm jo vetëm interesin e vendit por të mbroj sistemin politik dhe juridik të cilin ne e kemi arritur me kompromise të mëdha. Dhe duke e bërë këtë ne në fakt e mbrojmë vetveten dhe i mbrojmë parimet për të cilat jemi themeluar si shtet”, tha Tahiri.

Ndërsa, drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, tha se i përkrah të gjitha këto iniciativa të Besnik Tahiri.

“Në Serbi shoqëria civile nuk merret me këtë, ndoshta për shqiptarët kjo mund të jetë një gjë e mirë për disa gjëra, por unë mendoj që nuk është shenjë e mirë, Serbia dhe shoqëria civile mendojnë që kjo gjë është e humbur dhe nuk i kuptojnë disa gjëra të cilat janë të domosdoshme për përparimin e Serbisë për përparimin e Serbisë drejt Integrimit Evropian, e ajo është marrëdhënia e mirë fqinjësore dhe e bashkëpunimin rajonal. Unë i përkrah të gjitha iniciativat dhe zotëri Besnikun lidhur me projektet konkrete të cilat më vonë do të jenë edhe projekte rajonale”, tha Janjiq.

Pos tjerash, ky raport rekomandon që zyra e këtij asociacionit të hapet në Graçanicë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat