Bytyqi: Svarqës s'po i pret sëpata në një vend

Kosova

Bytyqi: Svarqës s'po i pret sëpata në një vend

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 11:27

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Ferizaj po konsideron se pushteti lokal i Ferizajt për çështje të njëjta po merr vendime të shumëfishta, që paraqet “skandalin e radhës”.

Sekretari i degës së PDK-së, Gazmend Bytyqi, gjatë një konference për medie tha se "kryetarit Svarqa, s'po i pret sëpata në një vend"

“Komuna e Ferizajt , tashmë është e njohur për veprime skandaloze, ndërsa veprimet e fundit të saj kanë të bëjnë me dublifikimin e vendimeve të ndryshme për çështje të njëjtë. Ky është edhe skandali i radhës së kësaj qeverie lokale dhe i kryetarit Svarqa”, ka thënë Bytyqi.

Sipas tij, komuna brenda tre muajve ka lëshuar katër vendime të ndryshme për çështje të njëjtë, duke shpalos njërin pas tjetrin vendimet.

“Refuzimi i regjistrimit të pronës, lëshuar nga Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër,vendimi për ekzekutimin e marrëveshjes së nënshkruar për kryetarin nga nënkryetari i komunës, aktvendimi për regjistrimin e pronës dhe vendimi për shfuqizimin e vendimit të kryetarit të nënshkruar nga nënkryetari, janë vendime të c ilat u bënë për të njëjtën lëndë brenda kësaj periudhe“,theksoi Bytyqi.

PDK, dega në Ferizaj, vlerëson se ky është “degradim moral, ligjor, politik dhe institucional i shpërfaqur në këto vendime të kryetarit Svarqa”.

“Është përveçse keqmenaxhim, jotransparencë dhe abuzim me pushtetin dhe me qytetarët e Ferizajt, njëkohësisht edhe vazhdim i talljes më të madhe që po i bëhet qytetarëve të Ferizajt dhe shtetit”, tha Bytyqi.

Ai ka reaguar edhe ndaj një deklarate të nënkryetarit të komunës Xhavit Zariqi, duke e quajtur si argument për papërgjegjshmërinë e institucioneve komunale.

“Deklarimi i fundit i nënkryetarit, si njeri i dytë i institucioneve komunale, që nuk ka shtet këtu, flet më së miri se deri ku kanë shkuar këto institucione. Kjo papërgjegjshmëri e udhëheqësve të Komunës së Ferizajt për PDK-në, dega në Ferizaj, është e papranueshme dhe kërkojmë reflektim të tyre ose dorëheqjen e tyre”, tha sekretari i degës së PDK-së.

Ndryshe, bëhet fjalë për vendimet pro et contra të lëshuara një qytetari ferizajas, Naser Mustafës, të cilit vite më parë i është rrënuar objekti nga ish-pushteti për të bërë zgjerimin e njëres prej rrugëve kryesore të qytetit. Më vonë pasuan ankesat e tij në gjyq, pasi i njëjti kishte dëshmi se ishte titullar i pronës. Kërkesa e tij e vetme sot mbetet kompensimi i pronës dhe mbyllja e këtij problemi të tejzgjatur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat