Skandalet në MSh, 133,744€ për spitalet private, shërbimet nuk u kryen

Kosova

Skandalet në MSh, 133,744€ për spitalet private, shërbimet nuk u kryen

Më: 7 korrik 2015 Në ora: 08:15

Auditori i Përgjithshëm ka gjetur shkelje dhe keqpërdorime në Ministrinë e Shëndetësisë në kohën sa është udhëhequr nga ministri Ferid Agani në 2014. Janë vërejtur mangësi në menaxhimin e Subvencioneve tek trajtimi i pacientëve jashtë vendit. Disa nga dobësitë e vërejtura janë Ministria vazhdon të bëj pagesat për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore duke u bazuar në pro faturat që i sjellin pacientët në kohën e aplikimit.

“Nga testimet tona kemi vërejtur se menaxhimi i subvencioneve vazhdon të ketë dobësi. Disa nga dobësitë e vërejtura janë: Ministria vazhdon të bëj pagesat për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore duke u bazuar në pro faturat që i sjellin pacientët në kohën e aplikimit. Mirëpo pas trajtimit pacientët nuk i kanë sjellë dëshmitë për marrjen e shërbimeve dhe faturat përkatëse për t’i arsyetuar shpenzimet”, thotë ZAP.
Auditori thotë se në një rast pacienti ishte subvencionuar mbi bazën e raportit të komisionit konziliar të nënshkruar vetëm nga një mjek. UA i aplikueshëm kërkon që ky raport të nënshkruhet nga tre mjek, në këtë rast në emër të tyre ishte nënshkruar personi i njëjtë.

Sipas Udhëzimit Administrativ(UA) në fuqi Bordi Ekzekutiv i TMJIPSH aprovon/refuzon propozimin e Komisionit për Vlerësim Mjekësor për trajtim të pacientit, dhe rekomandon institucionin dhe shumën e mjeteve për trajtim. Nga mostrat e testuara ZAP nuk ka hasur në asnjë rast kur bordi ka rekomanduar ndonjë vend për trajtim. Në një rast bordi kishte aprovuar vlerën për trajtim 18,900€ derisa pagesa ishte bërë në vlerë 22,679€ me vendim të Ministrit.

“Nga programi për trajtimin e fëmijëve me leukemi bazuar ne mostrat tona janë paguar gjashtë raste që i takonin trajtimeve tjera. Vlera totale e tyre ishte16,090€. Shuma prej 980€ ishte paguar për subvencionimin e një pacienti për rrezatim edhe pse të njëjtit dy ditë më herët i ishte paguar një shumë e njëjtë për qëllimin e njëjtë nga programi TMJIPSH. Subvencioni prej 16,262€ për Shoqatën Diakonie Kosova ishte bërë nga dy kategori të shpenzimeve: nga subvencionet 8,131€ dhe nga Mallrat dhe Shërbimet 8,131€”, thotë auditori.

Mungesa e një strategjie të qëndrueshme dhe të qartë për arsyetimin e plotë të shpenzi meve për TMJIPSH shkakton vështirësi në menaxhimin e kësaj kategorie të shpenzimeve dhe mund të krijoj mundësinë që të ndodhin pagesa të parregullta apo pagesa për shërbimet që nuk janë pranuar.

Ndër të gjeturat e këtij raporti, mjetet e lira në Institucionet Private. “Një komision i formuar nga Ministria është angazhuar lidhur me barazimet financiare me disa institucione shëndetësore private. Nga puna e këtij komisioni ka rezultuar se në tetë institucione shëndetësore kishte mjete te lira prej 133,744€ të cilat ishin paguar për shërimin e pacientëve, por shërbimet nuk janë marrë”, thotë auditori. Sipas këtij raporti në disa raste pacienti nuk ka shkuar për shërim, por ka raste kur për të njëjtin pacient janë paguar dy herë. Vetëm gjatë vitit 2014, MSH kishte subvencionuar shërimin e pacienteve në më shumë se 100 institucione shëndetësore. Vlera e mjeteve të paguara nëpër këto institucione është shumë më e madhe. Mungesa e raportimeve për kostot e trajtimit të pacientëve, rrit mundësinë e keqpërdorimit të këtyre mjeteve. Kjo shkakton më shumë shpenzime për Ministrinë dhe më pak trajtime të pacientëve.

E gjetur tjetër është edhe subvencionimi i pacientëve për shkak të mos-funksionalizimit të pajisjeve. “Ministria kishte subvencionuar, trajtime të cilat kanë mundur të ofrohen nga QKUK po të funksionalizoheshin pajisjet e blera: p.sh rasti i Brahoterapisë ku pajisja ishte blerë 652,000€, por nuk ishte në funksion, gjithashtu subvencionimet për rrezatime magnetike arrijnë vlerën prej 67,626€ edhe pse QKUK posedon rezonancën e cila po ashtu nuk ishte në funksion”, thotë auditori. Mos funksionalizimi i pajisjeve të blera ka shkaktuar kosto shtesë për Ministrinë, pasi që është dashur të subvencionohen trajtimet e pacientëve për brahoterapi dhe rezonanca magnetike të cilat me një menaxhim më të mirë kanë mundur të jenë në funksion.

Po ashtu, subvencionimi i pacientëve me barna të Listës Esenciale vërehet si keqpërdorim. “Shuma prej 560,806€ nga subvencionet u është dhënë pacientëve të sëmurë kryesisht me kancer, për blerjen e barnave. Shumica e atyre barnave janë pjesë e listës esenciale dhe do të duhej të bliheshin përmes prokurimit nga mallrat dhe shërbimet. Në një rast tjetër nga programi i trajtimit të fëmijëve me leukemi janë paguar barna të listës esenciale (shembull për ilaçin Docetaxel ishin paguar 874€)”, thotë auditori.

Menaxhimi i dobët i Listës Esenciale ka shfaqur nevojën e subvencionimit të pacientëve me barna të cilat përndryshe është dashur të sigurohen nga vetë Ministria.

Edhe tek pagesa e bordeve dhe janë shënuar parregullsi thuhet se gjatë vitit Ministria kishte paguar për borde dhe komisione të ndryshme vlerën prej 371,188€. Zyrtarë të caktuar vazhdojnë të jenë anëtarë në shumë komision e. Dokumentimi i takimeve dhe punës së tyre len vend për përmirësim. Edhe në AKPPM funksionojnë dy borde të formuara në bazë të U.A 13/2013 dhe 14/2013, dhe disa komisione që shqyrtojnë çështje të ndryshme si përshtatjen e kushteve teknike për licencimin e qarkulluesve me shumicë dhe pakicë etj.

Gjatë vitit 2014, sipas llogaritjeve tona janë shpenzuar rreth 90,000€. Shumica e anëtarëve te komisione janë punëtorë te AKPPM-së. Pagesat për këto borde dhe komisione megjithëse janë të themeluara më vendime të Qeverisë, janë në kundërshtim me nenin 80 të LMFPP-së. Rreziku Këto pagesa janë në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret ne fuqi pasi zyrtarët të cilët marrin pjesë në komisione, borde ose ndonjë organ apo autoritet tjetër publik, nuk kanë të drejtë të pranojnë kurrfarë kompensimi shtesë për këtë shërbim./KosovaPress

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat