Personat me sëmundje kronike më të rrezikuarit nga të nxehtit

Kosova

Personat me sëmundje kronike më të rrezikuarit nga të nxehtit

Më: 6 korrik 2015 Në ora: 15:27

Drejtori i Qendrës Emergjente, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Basri Lenjani, në një prononcim për Telegrafin ka theksuar se rritja e temperaturave ka bërë që personat që vuajnë nga sëmundjet kronike (sëmundjet e mushkërive, sëmundjet e zemrës, nga sëmundjet neurologjike, nga sëmundjet metabolike dhe sëmundjet e enëve të gjakut), të kërkojnë ndihmë mjekësore në QKUK.

Ai tha se personat të cilët vuajnë nga këto sëmundje dhe personat që janë të shtyrë në moshë të jenë të kujdesshëm dhe t’i reduktojnë lëvizjet prej orës 11 paradite deri në ora 17.

“Nuk kemi një numër të madh të qytetarëve që kryekëput kërkojnë ndihmë për shkak të temperaturave të larta. Në klinikën emergjente, brenda 24 orëve, pranojmë 120 deri ne 150 raste, ku 60 për qind të këtyre rasteve janë si pasojë e sëmundjeve, ndërsa 40 për qind e rasteve kërkojnë ndihmë si pasojë e traumave. Këshilla jonë është që personat të cilët vuajnë nga këto sëmundje dhe personat që janë të shtyrë në moshë, të jenë të kujdesshëm dhe t’i reduktojnë lëvizjet prej orës 11 paradite deri në ora 17. Pastaj le ta marrin me rregull terapinë e përcaktuar nga mjekët”, ka thënë Lenjani.

Ndryshe, Kosova do të ndikohet nga masat e nxehta të ajrit të cilat burimin e kanë nga Afrika Veriore. Këto masa do të jenë të qëndrueshme në pjesën dërmuese të javës që po hymë.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-17 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës, nga dita e hënë deri të mërkurën, ndërmjet 31-35 gradë Celsius.

Të enjten ka mundësi që vende-vende të ketë riga shiu.

Pjesa qendrore dhe veriore e kontinentit do të jetë nën ndikimin e masave të paqëndrueshme të ajrit të cilat do të kushtëzojnë një mot jostabil me reshje shiu, derisa e gjithë pjesa tjetër e Kontinentit do të ndikohet nga masat e thata dhe të nxehta të ajrit të shoqëruara me pak vranësira dhe kthjellime dominuese.

Sipas IHMK, edhe përgjatë vijës bregdetare pritet të mbajë mot i nxehtë me temperatura tipike verore. Temperaturat më të ulëta do të lëvizin ndërmjet 17-23 gradë Celsius, derisa maksimalet e ditës nga 31-38 gradë celsius. Shtypja atmosferike do të pësojë ulje ditën e mërkurë andaj ditët në vijim do të ketë edhe ulje të lehta të temperaturave maksimale. Do të fryjë erë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-5m.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat