Qytetarët dorëzojnë 180 mijë kuponë fiskalë për 3 ditë

Kosova

Qytetarët dorëzojnë 180 mijë kuponë fiskalë për 3 ditë

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 09:17

Qytetarë të shumtë ia kanë mësyrë qendrave të shërbimeve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për të dorëzuar plikotë me kuponë fiskalë për rimbursim, të cilët i kanë grumbulluar gjatë tre muajve, prill, maj qershor.

Fluks të madh të qytetarëve kishte edhe gjatë ditës së premte në qendrën e shërbimeve të ATK-së në Prishtinë. Qytetarë me pliko në dorë pritnin në radhë të gjata për të bërë dorëzimin e kuponëve fiskalë.

Gëzimi mbante në dorë tri pliko me kuponë fiskalë dhe priste në radhë për t’i dorëzuar. Ai thotë se me t’u informuar për dorëzimin e kuponëve fiskalë, kishte filluar t’i grumbullojë ata që nga qershori.

“Me kuponët fiskalë që i kam grumbulluar shpresoi t’i marrë rreth 50 euro. Tashmë çdo blerje që e bëjë nëpër markete të ndryshme ua kërkoj kuponin fiskal, pasi që po na mundësohet t’i dorëzojmë dhe të fitojmë para”, shprehet Gëzimi.

Zyrtarë të ATK-së theksojnë se interesimi i qytetarëve është tejet i madh lidhur me këtë projekt. Sami Salihu, menaxher i lartë i shërbimit dhe edukimit të tatimpaguesve në ATK thotë se që nga momenti kur ATK-ja ka publikuar njoftimin “Kërko kuponin fiskal, përfito para”, është vërejtur interesim i madh nga qytetarët që të pajisen me kuponë fiskal në momentin e furnizimit me mall apo shërbim.

Salihu ka shpjeguar se vetëm për tri ditë prej se ka filluar projekti (1 korrik) deri të premten (3 korrik) rreth orës 15:56, në ATK ka të dhëna interesante lidhur me aplikimin dhe dorëzimin e kuponëve fiskalë.

Këto të dhëna flasin për 2,909 aplikime nga qytetarët. Prej tyre aplikues të grupit të parë (I) me vlerë të kuponëve (prej 250 deri 500 euro) ishin 938, për grupin II (mbi 500 – 800 euro) ishin 691 aplikues dhe për grupin III (mbi 800 euro) ishin 1,280 aplikues. Pra ishin gjithsej 1,441 pliko me kuponë fiskalë që qytetarët i dorëzuan, ndërsa ishin 179,823 kuponë fiskalë.

Njoftim-per-Konsumatore-ATK-27.07.2012

“Në sistemin të cilin e ka zhvilluar ATK për këtë projekt, vërehet se brenda minutave numri i aplikacioneve si dhe dorëzimi i plikove është duke u rritur me një intensitet tejet të lartë. Këtë po e mundëson edhe forma e lehtë e aplikimit nga ana e qytetarëve, si dhe menaxhimi i zyrave regjionale të shërbimit dhe edukimit të tatimpaguesve në të cilat po pranohen dhe verifikohen plikot me kuponët fiskalë të grumbulluar nga qytetarët”, ka thënë për KosovaLive, menaxheri Salihu.

Ai thotë se projekti tashmë i titulluar “Rimbursimi i mjeteve nga grumbullimi i kuponëve fiskal”, ka për qëllim vetëdijesimin e të gjithë qytetarëve që të pajisen me kuponë fiskal, si një nga mënyrat të cilët individualisht ndihmojnë në zhvillimin e shtetit, si dhe përmes qytetarëve të ndihmohet fiskalizimi i bizneseve.

Sipas tij, secili tatimpagues ka për obligim që të pajisë konsumatorin me kupon fiskal në momentin e furnizimit me mall apo shërbimit.

“Po ashtu, përmes këtij projekti tashmë edhe secili qytetar ka kuptuar se është e drejtë e tij që të kërkojë kuponin fiskal në momentin e furnizimit me mall apo me shërbim. Pajisja me kupon fiskal rezulton në një mirëqenie të përgjithshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, atëherë secili qytetar është mirë të kërkoj kuponin fiskal me të cilin do të kontribuojë për të ardhmen”, ka potencuar Salihu.

Për të gjithë konsumatorët, të cilët grumbullojnë kuponët fiskal dhe si të tillë i dërgojnë në ATK, do të aplikohet rimburismi i vlerës së tatueshme të të gjithë kuponëve fiskalë në muajin pasues të çdo tremujori, sipas këtyre kritereve:

Grupi I – Plikot me më shumë se 30 kuponë dhe me vlerë të përgjithshme nga 250€ deri në 500€, do të rimbursohen në vlerën 10 €;

Grupi II – Plikot me më shumë se 40 kuponë dhe me vlerë të përgjithshme nga 501€ deri në 800 €, do të rimbursohen në vlerën 15 €;

Grupi III – Plikot me më shumë se 50 kuponë dhe me vlerë të përgjithshme mbi 800 € do të rimbursohen në vlerën 20 €.

Sipas zyrtarëve të ATK-së, ky projekt i grumbullimit të kuponëve fiskalë nga ana e qytetarëve ndihmon edhe në rënien e evazionit fiskal.
Salihu thekson se evazioni fiskal është rezultati i bizneseve që ushtrojnë aktivitete pa u regjistruar, përdorimit të faturave fiktive, shkeljes së parimeve të përgjithshme të dokumentit, sepse shitjet nuk bëhen me fatura, por me anë të transaksioneve nga xhepi në xhep, fushë ku organet tatimore nuk mund të influencojnë duke iu shmangur kështu detyrimeve tatimore dhe së fundi vë në dyshim rimbursimin e TVSH-së.

“Evazioni tatimor është mospagim i detyrimeve tatimore qe rrjedhin nga ligji. Nëse tatimpaguesi nuk i raporton drejt qeverisë për shitjet e tij, ky është evazion tatimor. Çdo tatim i paguar kthehet në kujdes shëndetësor, shkollim adekuat, siguri publike e shumë shërbime të tjera për të gjithë qytetarët”, thekson Salihu.

A madje thotë se secili qytetar duhet të jetë i vetëdijshëm se duhet të pajiset me kuponë fiskal në momentin e blerjes së mallit apo shërbimit. Personi i cili nuk merr kuponin fiskal: dëmton veten dhe të tjerët; nuk kontribuon në zhvillimin e vendit; nuk përmbush një nga detyrimet qytetare, si dhe ndihmon evazionin fiskal.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) ka thënë për KosovaLive se, rimbursimi i një pjese mjeteve me kuponë fiskalë ka shtuar një kureshtje tek qytetarët dhe ata tashmë janë duke i grumbulluar, e që kjo është një risi në Kosovë që do të ketë një sukses të theksuar.

Ai ka theksuar se kjo është një formë e vetëdijes së qytetarëve për të kërkuar kuponët fiskalë, por kjo nuk do të thotë që informaliteti do të ulet në tregun e Kosovës, për arsye se në shumë kompani të cilat kanë arka fiskale, pothuajse 100% e kanë aktivitetin formal.

“Kuponët fiskal që po i grumbullojnë qytetarët janë të kompanive që janë të pajisura me arka fiskale, por ku janë ato kompani dhe ato subjekte ekonomike që nuk kanë arka fiskale dhe as nuk shpërndajnë kuponë fiskalë? Kjo në një aspekt do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës, ndërsa projekti i grumbullimit të kuponëve fiskalë është edhe një tentim për rritjen e vetëdijes së qytetarëve që mos të blejnë mallra aty ku nuk ka kuponë fiskalë”, ka thënë Shahini.

Qytetarët e Kosovës, sipas tij, duhet t’i bojkotojnë subjektet ekonomike ku nuk kanë arka fiskale e të shfrytëzojnë këtë mundësi, e cila siç thotë ai, se nuk beson se do të zgjatë shumë, për arsye se nuk do të jetë në dobi të buxhetit të shtetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat