Gjykata nuk ua njeh arrestin shtëpiak Sylës dhe Abazit

Kosova

Gjykata nuk ua njeh arrestin shtëpiak Sylës dhe Abazit

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 15:27

Kanë qëndruar katër vite në arrest shtëpiak, por tani gjykata nuk po ua njeh këtë.

Të dënuarit në rastin “Bllaca II” , Shaban Syla e Sadik Abazi me vendim gjykate u privuan nga liria për katër vjet duke qenë në arrest shtëpiak, por që tani kur po vuajnë dënimin me burg, sipas aktgjykimit të plotfuqishëm nuk po u njihet ky arrest.

Syla dhe Abazi thonë se po u bëhet e padrejtë, sepse me vendim gjykate qëndruan plot katër vjet në arrest shtëpiak dhe tani Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ua ka llogaritur atë si vuajtje të dënimit.

Për këtë kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë Hamdi Ibrahimi, nuk ka dashur të flas duke thënë se e ka sqaruar një herë ku sipas tij nuk mund të vazhdoi masa e arrestit shtëpiak pas aktvendimit të shkallës së dytë.

Shaban Syla e Sadik Abazi ishin dënuar nga një trup i gjyqtarëve të EULEX-it me 8, përkatësisht 12 vjet burg. Syla ishte dënuar për tentim vrasje të rëndë, ndërsa Abazi për vrasje të rëndë në atë që njihet si rasti “Bllaca II”.

Aktgjykimi i shkallës së parë ishte shpallur me 12 dhjetor 2012, ndërsa një vit me vonë 12 dhjetor 2013 Gjykata e Apelit kishte vërtetuar dënimin e shkallës së parë, por nuk kishte urdhëruar që të pandehurit që janë në arrest shtëpiak të shkojnë menjëherë në vuajtje të dënimit.

Për këtë, të dënuarit Shaban Syla e Sadik Abazi dhe avokati i Shaban Sylës, Haxhi Millaku, po kërkojnë që t’iu njihet arresti shtëpiak prej katër viteve të qëndrimit.

I dënuari Shaban Syla, i cili po e vuan dënimin në burgun e Dubravës thotë për KosovaPress se e kanë privuar nga liria duke e mbajtur në arrest shtëpiak, por tash nuk po ia numërojnë vitet që ka qëndruar në arrest shtëpiak pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit të shkallës së parë me të cilin u shpall fajtor.

I dënuari Syla, thotë se kjo po bëhet nga kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë Hamdi Ibrahimi, i cili jo që nuk e njeh arrestin shtëpiak, por thotë se nuk mund të ketë vendim pas vendimit të shkallës dytë mbi arrestin. Megjithatë, në vendimin e shkallës së dytë, të Gjykatës së Apelit në asnjë vend nuk shkruan se vendimi mbi arrestin shtëpiak shfuqizoh et dhe i dënuari duhet të shkojë në qendrën e paraburgimit për ta vuajtur dënimin.

Syla: S’jam kundër vuajtjes së dënimit, po dua njohjen e arrestit shtëpiak

“Nuk kam kërkuar mos ardhjen time në burg, por kam kërkuar që të më njihet arresti shtëpiak dhe jam në arrest shtëpiak, ku edhe dokumentoj vendimet e Gjykatës dhe Policisë...Në vendimin e kryetarit të gjykatës së Apelit, Sali Mekaj e pranon se jemi në arrest shtëpiak. Nuk do ta lexoj krejt por vetëm këtë pjesën. Mirëpo vet fakti se i dënuari gjendën në arrest shtëpiak nuk paraqet arsye ligjore për shtyrje të ekzekutimit të dënimit. Do të thotë ky e pranon se jemi në arrest shtëpiak. Kurse kryetari i Gjykatës Themelore Hamdi Ibrahimi nuk e pranon”, thotë Syla.

Ai pretendon se edhe bastisja kur i është bërë shtëpisë së tij për ta dërguar në vuajtje të dënimit , është bërë me urdhër të kryetarit të Gjykatës Themelore Hambi Ibrahimi.

Me 22 prill të këtij viti, policia e EULEX-it dhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës kishin shkuar në orët e hershme të mëngjesit në shtëpinë e të dënuarit Shaban Syla, për ta arrestuar dhe për ta dërguar në vuajtje të dënimit, por ai ndodhej në burgun e Dubravës prej një muaj e gjysmë. Edhe sot e kësaj dite as EULEX-i, e as Gjykata Themelore në Prishtinë nuk kanë dhënë sqarime se si ndodhi ky aksion kur Syla gjendej në burg në vuajtje të dënimit.

Edhe i dënuari tjetër, Sadik Abazi thotë se po vuan dënimin prej 12 viteve, por nuk po i llogaritet arresti shtëpiak të mbajtur diku katër vite, nga data 28. 07. 2011, deri më 26 mars 2015.

Ai thotë se këtë mund ta fakton me dokumentacion, me vendimet e Gjykatës, shkresat e policisë të cilët kanë monitoruar atë sa ka qenë në arrest.

Abazi: Kërkoj të më njih et arresti shtëpiak

“Kam dëgjuar nga mjetet e informimit që gjoja se në vendimin e Gjykatës së Apelit, vendimi ka marr formën e prerë çka mund t’ua dëshmoj që nuk shkruan askund që të lajmërohem në qendrën korrektuese, s’ka afat përndryshe nga gjykata apelit nuk është ndërruar masa. Masa e arrestit shtëpiak është caktuar me 24 05 2012 nga Gjykata Themelore dhe ajo masë e arrestit nuk është ndryshuar. Asnjë vendim tjetër për ndërprerjen e arrestit shtëpiak nuk kam, në bazë të avokatit tim nuk ka as stacioni policor në Shtime dhe nuk kam qenë në asnjë formë i njoftuar...Nuk kam shkresë që me ka njoftuar dikush se sa do të më njihet arresti shtëpiak, ose diçka tjetër”, tha Abazi.

Abazi pretendon se në bazë të konsultimeve me shumë persona juridik që e njohin çështjen e gjyqësorit i është bërë një shkelje e të drejtave, pasi ai ka marr vetëm një shkresë dhe jo vendim ku i caktohet koha, vendi, koha e vuajtjes së dënimit dhe koha sa ka qenë në arrest shtëpiak.

Shkeljet ligjore në këtë rast i konfirmon edhe avokati i Shaban Sylës, Haxhi Millaku i cili thotë për KosovaPress, se në aktvendimin e Gjykatës së Apelit të datës 12 dhjetor 2013, ku vërteton vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Qarkut të datës 17 dhjetor 2012, askund nuk shkruan se masa e arrestit shtëpiak zëvendësohet me shkuarje në vuajtje të dënimit.

Por me pas klientit të tij i dërgohet një kërkesë për shkuarje në vuajtje të dënimit, pa një vendim tjetër i cili do ta zëvendësonte masën e arrestit shtëpiak.

Millaku: Nuk ka vendim i cili e shfuqizon masën e arrestit shtëpiak

“Ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore lidhur me masën e arrestit shtëpiak si masë e sigurisë ka qenë në fuqi deri në atë kohë dhe pas aktgjykimit të formës së prerë. Sipas kodit të ri duhet të shkohet në vuajtje të dënimit...Por meqë ka qenë në fuqi dhe ka krijuar efekte juridike për masën e arrestit shtëpiak, Policia çdo herë nga Gjykata ka marr urdhëresë që ta kontrolloj këtë masë që nënkupton se ligjësisht Policia në bazë të urdhrit e kontrollon masën...Kështu që mbi katër vite të qëndrimit në arrest shtëpiak kujtohet Gjykata Themelore se ligjësisht ky njeri pas aktvendimit të plotfuqishëm është dashur të jetë në Dubravë, përkatësisht në vuajtje të dënimit. Me qëllim apo pa qëllim e anulon aktvendimin që kjo masë ka qenë në fuqi, ka qenë e zbatueshme dhe lindin situata a thua duhet të krijoj efekt juridik një vendim për masën e arrestit shtëpiak i cili me urdhër të gjykatës nga policia është kontrolluar apo policia me urdhër të gjykatës që është urdhër i kundërligjshëm e ka kontrolluar masën dhe ka cenuar paprekshmërinë e banesës apo privatësisë së Shaban Sylës”, thotë Millaku.

Ai thotë se iu ka drejtuar të gjitha instancave, kryetarit të Gjykatës Themelore Hamdi Ibrahimi, kryetarit të Gjykatës së Apelit Sali Mekaj, kryetarit të Gjykatës Supreme Fejzullah Hasani dhe kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it, por ka mbi tre muaj që ende nuk ka marr asnjë përgjigje.

Millaku shkon më tej duke thënë se skandali më i madh është kur urdhërohet policia për bastisjen e shtëpisë së klientit të tij Shaban Syla, derisa ai ishte duke vuajtur dënimin prej rreth dy muajve, në bazë të një kërkesë të lëshuar nga Gjykata Themelore për shkuarje në vuajtje të dënimit.

Millaku: Kërkoj njohjen e arrestit shtëpiak për klientin tim

“Unë kërkoj me këmbëngulje të zbatohet ligji. Njohja e kufizimit të klientit tim në qoftë se nuk aprovohet arresti shtëpiak, atëherë duhet të kërkoj përgjegjësi nga ai që lëshon urdhra e shqetëson familjen në orët e hershme të mëngjesit me sa trupa e automjete të blinduara, ose të kërkoj përgjegjësi mbi bazën të çfarë vendimi kontrollon ambientin e banimit të familjes, me urdhër kujt shikohet apo kontrollohet arresti shtëpiak, unë kërkoj sqarime, që deri me sot nuk kemi marr”, tha Millaku.

Në këtë rast gjykata ka shkelur Kodin Penal të Kosovës.

Në nenin 83 të Kodit Penal të Kosovës, në pikën 1, thuhet se koha e kaluar në paraburgim, arrest shtëpiak si dhe çdo periudhë e heqjes së lirisë lidhur me veprën penale llogariten në dënimin e shqiptuar me burgim dhe me gjobë.

Ndërsa, në nenin 367 të Kodit të Procedurës Penale, në pikën 2, thuhet se nëse gjyqtari i vetëm gjykues ose trupi gjykues shqipton dënim prej pesë (5) ose më shumë vjet burg të akuzuarit ia cakton paraburgim in, nëse ai nuk gjendet në paraburgim, ose ia vazhdon atë kur i akuzuari gjendet në paraburgim. /KP/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat