Pacolli: S’dua ta besoj se ka kosovar që mund të kërcënojë gëzimin tonë për SHBA-të

Kosova

Pacolli: S’dua ta besoj se ka kosovar që mund të kërcënojë gëzimin tonë për SHBA-të

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 13:11

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli përmes një postimi në Facebook ka shkuar se 4 korriku është dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ne kosovarët kemi shumë arsye ta festojmë bashkë me amerikanët një ditë kaq të rëndësishme.

Ai është takuar sot me kongresmenin Eliot Engel.

“Unë e nisa ditën duke takuar një mik të madh të Kosovës si kongresmeni Eliot Engel dhe është me të vërtetë diçka simbolike që ai vendosi që këtë ditë ta nisë me takimin së bashku. U bëra kështu kosovari i parë që ja urova festën e lindjes së shtetit të tij. Amerika e madhe është sponsorja kryesore e lindjes së shtetit tonë të ri, por dhe e rritjes, zhvillimit, begatimit të vrullshëm të Kosovës”, ka shkuar Pacolli.

Lexoni postimin e plotë:

4 korriku është dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ne kosovarët kemi shumë arsye ta festojmë bashkë me amerikanët një ditë kaq të rëndësishme. Unë e nisa ditën duke takuar një mik të madh të Kosovës si kongresmeni Eliot Engel dhe është me të vërtetë diçka simbolike që ai vendosi që këtë ditë ta nisë me takimin së bashku. U bëra kështu kosovari i parë që ja urova festën e lindjes së shtetit të tij.

Amerika e madhe është sponsorja kryesore e lindjes së shtetit tonë të ri, por dhe e rritjes, zhvillimit, begatimit të vrullshëm të Kosovës. Jo rastësisht, Amerika ka shenjuar emrin e vet si mbështetësja kryesore e ekzistimit të shtetit të ri të Shqipërisë. Mirënjohja ndaj saj është një akt i detyruar, duhet të jetë një akt i përjetshëm ashtu si mirënjohja ndaj familjarit të afërt, ndaj mikut, ndaj mirëbërësit që të ka shpëtuar jetën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shteti model për nga përparimi ekonomik dhe shoqëror, për nga hapësira e madhe e lirisë dhe e barazisë për individin, grupet apo popullsitë e ndryshme që e përbëjnë atë komb të madh.

Si në asnjë vend tjetër në rruzull, respekti për njeriun, për dinjitetin e tij, për liritë e tij, për fetë, për besimet fetare të çdo lloji arrin nivelin më të lartë. Vetëm Amerika ka vetinë çudibërëse që njerëz të cilët vijnë nga shtete të ndryshme, tradita të ndryshme kulturore, raca të ndryshme, fe dhe besime të ndryshme të ndihen menjëherë të barabartë me gjithë të tjerët, dhe pjesë tërësore e një kombi të madh.

Pra, janë shumë arsye pse ne si kosovarë si kurrë më parë duhet të jemi sot dhe gjithë ditën me amerikanët, me miqtë tanë, në festimet e tyre të bukura dhe të veçanta. Jam i bindur se gjithë kosovarët në zemrat e tyre festojnë ditën e sodit, por Kosova duhet të festojë dhe publikisht në mënyrë masive ditëlindjen e SHBA-ve sipas traditës së vet. Nuk di sa të vërteta janë lajmet për anulim të ndonjë festimi, por s’dua ta besoj se ka kosovar mbi tokë që të mund të mendojë të kërcënojë gëzimin tonë të përbashkët për ditën e Pavarësisë së Amerikës.

Siç e ka thënë një mike e madhe e Kosovës në Parlamentin e Shqipërisë, Sekretarja Klinton « ne do të jemi bashkë me ju dhe në 100 vjetët e ardhshme », ndaj ne do të jemi bashkë me Amerikën në jetë të jetëve, në gëzime dhe hidhërime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat