Muhaxhiri: I kot presioni mbi deputetët që i thanë jo Speciales

Kosova

Muhaxhiri: I kot presioni mbi deputetët që i thanë jo Speciales

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 10:03

Themelimi i Gjykatës Speciale doli të jetë një “mollë sherri” mes pozitës e opozitës, ku dihet se opozita po e kundërshton ashpër themelimin e saj.

Dy javë më parë deputetët nuk i dhanë dritën e gjelbër që themelimi i kësaj gjykate të marrë rrugë.

Madje kundërshtime për mos votimin e saj pati edhe nga disa deputetë të PDK-së. Por, a do të ndryshojnë mendim këta deputetë në rast të riprocedimit në Kuvend, analisti Artan Muhaxhiri vlerëson se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Muhaxhiri ka thënë për Indeksonline se është e kotë të bëhet presion tek ata deputetë që kanë refuzuar të votojnë pro themelimit të Gjykatës Speciale.

“Nait Hasani, Ganimete Musliu dhe Fadil Demaku kanë qenë më të zëshmit në kundërshtimin e Speciales, prandaj do të ishte e kotë që ndaj tyre të bëhej ndonjë presion”, ka thënë Muhaxhiri.

Ai më pas ka shtuar se presioni i madh ndërkombëtar ndaj udhëheqësve të koalicionit qeverisës, posaçërisht ndaj Hashim Thaçit dhe PDK-së, do të ndikojë që medoemos të kërkojnë zgjidhje për t’i kompensuar votat e munguara.

“Përqendrimi kryesor do të jetë ndaj dy deputetëve të PDK-së që abstenuan, Flora Brovina dhe Nezir Çoçaj, por gjithsesi do të llogaritet në votat e disa prej deputetëve që kanë refuzuar të përcaktohen herën e parë kur u votua për Gjykatën Speciale”, theksoi Muhaxhiri, duke shtuar më pas se deri në momentin e votimit tjetër do të ketë kalkulime, lobime dhe pasiguri

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat