Qendra e Pediatrisë ka probleme me mungesën e mjekëve

Kosova

Qendra e Pediatrisë ka probleme me mungesën e mjekëve

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 23:21

Telashet në sektorin e shëndetësisë duket se nuk kanë të ndalur. Qendra e Pediatrisë në Prishtinë ka probleme me mungesën e mjekëve. Aty kanë dalë në pension tre pediatër.

Konkursi për t'i pranuar tre të rinj është anuluar në bazë të një udhëzimi sipas të cilit nuk lejohet pranimi i specializantëve. Kjo ka bërë që një mjek të kontrollojë deri në 60 pacientë.

Në qendrën pediatrike në Prishtinë, një mjek kontrollon deri në 60 pacientë. Kjo mbingarkesë po ndodh për shkak se dy pediatër të këtij institucioni shëndetësor kanë dalë në pension.

“Pacientët nuk e durojnë pritjen, në anën tjetër ne duhet të ngutemi mirë po atëherë nuk ka cilësi, sipas standardeve numri më i madh i pacientëve që duhet t’i kontrolloj një mjek është 20 ndërsa këtu ndodhë deri ne 60, kjo është e papërballueshme”, tha Dr. Hamide Latifi – Shefe e qendrës pediatrike.

Konkursi i shpallur dy javë më parë për tre pediatër dhe një pulmolog u anulua me arsyetimin se është fuqizuar udhëzimi i vjetër administrativ sipas të cilit nuk lejohet pranimi i specializantëve të rinj.

Avdullah Hoti – Drejtor i qendrave të mjekësisë familjare deklaroi se, “QKMF -ja dhe drejtorati komunal për shëndetësi deshëm ta bëjmë një zgjidhje për qytetarët tanë ,mirëpo është një udhëzim i vjetër administrativ i cili nuk lejon pranimin e specialistëve të rinj dhe ne u detyruam që ta anulojmë konkursin dhe mos të bëjmë shkelej ligjore”.

Mjekët e qendrës pediatrike bëjnë thirrje tek institucionet qeveritare që të shfuqizohet udhëzimi i vjetër administrativ, sepse me këtë mbingarkesë nuk ka cilësi të shërbimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat