KMDLNJ: Të ndërtohet një spital për të burgosurit!

Kosova

KMDLNJ: Të ndërtohet një spital për të burgosurit!

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 14:54

KMDLNj mendon se me zgjerimin e kapaciteteve në Burgun për Siguri të Lartë, do të mund të krijohej një spital për trajtimin e së paku 60 – 80 rasteve që janë më të rënda.

Kohë më parë një i dënuar me 14 vite burg u arratis nga Spitali Rajonal në Pejë ku ishte dërguar pasi Qendra Korrektuese në Dubravë nuk kishte kushte për trajtimin e tij. I dënuari ishte dërguar në Pejë me udhëzimin e mjekut të Burgut të Dubravës dhe në përputhje me procedurat për sigurinë në raste të tilla.
Nuk ishte ky rasti i parë dhe nuk do të jetë as i fundit që një i burgosur, duke shfrytëzuar pakujdesinë e ekipit përcjellës të arratiset pas së cilave ka reagime akuzuese dhe shfajësuese, vlerëson Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Në Kosovë, numri i të paraburgosurve dhe të dënuarve sillet midis 1800 – 2000 individë, mosha është e ndryshme dhe rrjedhimisht, në mesin e tyre ka të tillë me probleme të rënda apo të lehta shëndetësore që i kanë pasur para se të privoheshin nga liria apo sëmundje që i kanë fituar gjatë vuajtjes së dënimit.

“KMDLNj, si organizatë që monitoron qendrat e ndalimit, qendrat e paraburgimit dhe ato korrektuese shumë herë e ka ripërsëritur kërkesën për ndërtimin e një qendre spitalore ku do të trajtoheshin të gjithë personat e privuar nga liria sepse, në rrethanat dhe me kapacitetet aktuale, njësia shëndetësore e Shërbimit Korrektues të Kosovës nuk ka potencial, as profesional e as teknik për trajtimin e tyre. Për këtë arsye ka ankesa të shumta të burgosurve për trajtim jo – adekuat mjekësor sikur edhe kërkesa për trajtim mjekësor jashtë objekteve të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Për KMDLNj–në është e pa pranueshme që 16 vjet pas përfundimit të luftës, përkundër rinovimeve të shumta ( kryesisht të dështuara) të institucioneve korrektuese dhe ndërtimit të kapaciteteve të reja, Pavijoni për Dëshmitarë të Mbrojtur, Qendrat e paraburgimit në Hajvali dhe Gjilan (duke u ndërtuar) e sidomos Burgu për Siguri të Lartë në Dyz, askush nuk ka ndërmarrë iniciativë për ndërtimin e një qendre spitalore për të burgosur me të cilën do të plotësoheshin kushtet e parapara sipas Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Rregullave Evropiane të Burgjeve dhe Konventave që e parandalojnë trajtimin çnjerëzor dhe diskriminues.

“Me ndërtimin e një spitali për të burgosur do të binte ndjeshëm numri i rasteve të trajtimit jashtë ambienteve të burgut, do të zvogëloheshin në minimum shpenzimet për shërim jashtë burgut dhe këto mjete të kursyera do të përdoreshin për stimulimin e stafit mjekësor dhe përmirësimin e kushteve fizike për trajtim si dhe do të eliminohej rreziku për arratisjen e të burgosurve gjatë qëndrimit në QKUK apo në Spitalet Rajonale. Procesi i transportimit të një të burgosuri nga vendi ku vuan dënimin deri në vendin e trajtimit kërkon angazhim të një numri të madh të personelit përcjellës, personelit që e ruan gjatë qëndrimit në trajtim jashtë burgut dhe është i kushtueshëm financiarisht sikur edhe krijon kushte të favorizimit apo diskriminimit në bazë të statusit shoqëror që e kanë pasur më parë”, thuhet në komunikatë.

KMDLNj mendon se me zgjerimin e kapaciteteve në Burgun për Siguri të Lartë, do të mund të krijohej një spital për trajtimin e së paku 60 – 80 rasteve që janë më të rënda dhe ky spital do t’i plotësonte kushtet e parapara për siguri dhe ato klimatike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat