Merkel foli, tani ish-ministri zbulon prapaskenat e “refuzimit” të ‘Bilfinger’

Kosova

Merkel foli, tani ish-ministri zbulon prapaskenat e “refuzimit” të ‘Bilfinger’

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 10:38

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ka treguar për të vërtetën e ofertës që ka paraqitur kompania gjermane “Bilfinger” për ta rindërtuar termocentralin ‘Kosova A’, ofertë për të cilën ka folur në konferencë për media edhe vet kancelaria gjermane Angela Merkel, gjatë vizitës që kryeministri Isa Mustafa ka zhvilluar këtë javë në Berlin.

Ai ka thënë për “Epokën e re” se në kohën kur e ka marrë detyrën e ministrit ka gjetur një propozim nga “Belfinger”-i për rivitalizim të ‘Kosovës A’ por, sipas tij, propozimi nuk ka qenë i strukturuar dhe i kompletuar si duhet në atë kohë. Pavarësisht kësaj, Ismajli ka thënë se Kosova në atë kohë kishte edhe projektin tjetër ‘Kosova e Re’ dhe, sipas tij, vendi nuk do të mund t’u bënte ballë dy projekteve paralelisht.

“Kur kam shkuar si ministër i Zhvillimit Ekonomik kam gjetur një propozim për rivitalizim të “Kosovës A”. Është e vërtetë se kompania ‘Bilfinger’ është një kompani shumë serioze dhe e njohur dhe ka teknologji shumë të mirë, por në kohën kur unë kam qenë ministër për ato vite sa e kam menaxhuar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik propozimi i ‘Bilfinger’-it nuk ka qenë i strukturuar dhe i kompletuar si duhet në atë kohë. Unë kam pasur takime dhe kontakte me ambasadorin dhe zëvendësambasadorin gjerman. Ne si ministri e Zhvillimit Ekonomik kemi pasur dy prezantime prej kompanisë për rivitalizim, dy prezantime të cilat kanë dalluar prej njëra-tjetrës, por ne kemi kërkuar të merren shumë seriozisht që ata ta strukturojnë propozimin. Pra, të kemi më shumë informata për burimet financiare, mirëpo kompania nuk ka treguar për këto burime. Në këtë aspekt është treguar joserioze, sepse ne ishim edhe në projektin tjetër, që është ‘Kosova e Re’”, ka thënë Ismajli, duke shtuar se Kosova nuk do të mund t’u bënte ballë dy projekteve paralelisht.

“Do të ishte fat i madh nëse ekonomia gjermane të investonte në Kosovën A. Mirëpo, duhen bërë studime financiare, të zgjidhen mekanizmat dhe të rishikohet mundësia e buxhetit të Kosovës, nëse ajo i përballon dy projekte të mëdha njëherësh. Kosova nuk do të mund të qëndronte ose t’u bënte ballë paralelisht dy projekteve të tilla të mëdha. Këtu ishte në pyetje në rend të parë borxhi publik, obligimet ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërkohë në atë kohë u aprovua edhe buxheti për ndërtimin e Autostradës Prishtinë-Shkup. Ndërtimi i ekektranave ose rindërtimi i tyre do të kërkonte garanci nga shteti i Kosovës dhe Kosova vështirë se mund t’ia jap. Sidoqoftë, ekziston edhe mundësia që të bëhen aranzhmane të reja edhe me FMN-në, po ashtu ekzistojnë edhe mundësi të tjera”, ka thënë Ismajli, i cili ka lutur kompaninë gjermane që të mos heq dorë dhe ta kompletojë propozimin asht siç duhet, edhe në aspektin teknik, edhe atë financiar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat