Peshkaqenët sillen të lirë, Prokuroria merret me peshqit e vegjël!

Kosova

Peshkaqenët sillen të lirë, Prokuroria merret me peshqit e vegjël!

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 3 korrik 2015 Në ora: 09:32

Drejtori i Fondacionit “Rockfeller Brothers” për Ballkanin Perëndimor, Haki Abazi, thotë se, Kosovës i duhet agjendë reformatore dhe kjo nuk bëhet me ata që reformën e kanë trishtimin më të madh për sigurinë e tyre.

“Kosova është në “catch 22” në momentin në të cilin ndodhet dhe zhvillimet në regjion sikurse kriza në Greqi dhe problemet tjera nuk ndihmojnë dhe nuk japin shpresë për një përcaktim tjetër të shteteve perëndimore ndaj Kosovës dhe reformave të thella që duhen në sistemin ligjor”, thotë Abazi për Gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, ekzistenca e ekosistemit progresiv politik dhe të mirëfilltë është në pikëpyetje përderisa peshkaqenët dhe mbrojtësit e këtij ekosistemi janë të lirë dhe të fuqishëm dhe mbi ligjin.

“Përderisa Gjyqësia dhe Prokuroria e Shtetit nuk bëhen peshkatar të pavarur dhe të zotë atëherë ata do të vazhdojnë të kapin peshqit e vegjël, por jo edhe ata që po e mbajnë peng shtetin dhe të ardhmen e vendit…”, thotë Haki Abazi.

Ndërsa, analisti politik Dardan Velija thekson se, për dallim prej vendeve të rajonit, Kosova nuk e ka korrupsionin të shtrirë në çdo pore të jetës, por sipas tij, policia p, sh. është e lirë nga korrupsioni.

“Problemi i Kosovës është që një kllapë e vogël njerëzish e kanë vene shtetin në shërbim të pasurimit të tyre personal e klanor. Përderisa në vendet tjera të rajonit korrupsioni duhet luftuar në të gjitha nivelet, në Kosovë kjo luftë është shumë më e thjeshtë, duhet luftuar nga koka. Fajet i kemi edhe ne qytetarët që e kemi lejuar këtë zgjebe të na mbajë të lidhur për 15 vjet e edhe bashkësia ndërkombëtare që kanë pranuar për bashkëpunëtore të zgjedhurit tanë”, thotë Velija për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat