Auditori gjen mal me parregullsi në Agjencinë Kundër Korrupsionit

Kosova

Auditori gjen mal me parregullsi në Agjencinë Kundër Korrupsionit

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 09:13

Institucione që po mëton të jetë shembull për të tjerat, nuk e ka shfrytëzuar mirë buxhetin. Agjencia Kundër korrupsion po del të mos jetë institucion që i ka menaxhuar mirë financat.
Zyra e Auditorit ka vërejtur se AKK-ja gjatë vitit 2014 ka buxhetuar gabimisht një pjesë të shpenzimeve kapitale në kategori për mallra dhe shërbime.

“Gjatë procesit të planifikimit, AKK ka buxhetuar gabimisht një pjesë të shpenzimeve për investime kapitale në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve. Më tutje ata nuk kanë marrë masa për transferimin e tyre në kategorinë përkatëse, mirëpo kanë procesuar dhe evidentuar blerjen në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve. Kjo është vërejtur te kontrata „‟Blerja dhe vendosja e reklamave të AKK-së‟‟ në vlerë 3,120€ (billbord në vlerë 1,740€ dhe reklama 1,200€)”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori tërheq vërejtjen që shpenzimet në kategori jo adekuate shkakton mangësi në raportimin e shpenzimeve të ndodhura.

“Planifikimi dhe realizimi i shpenzimeve në kategori jo adekuate shkakton mangësi në raportimin e shpenzimeve të ndodhura. Kjo ndikon në mbivlerësim e shpenzimeve në një kategori, kundrejt nënvlerësimit në kategorinë tjetër”.

Po ashtu Auditori ka gjetur pa rregullsi edhe në procedurat e prokurimit në AKK.
“Sipas nenit 38 të Ligjit të Prokurimit Publik, Autoriteti kontraktues mund të përdorë procedurën e hapur, të kufizuar apo të negociuar për të dhënë një kontratë publike kornizë. Kontrata publike kornizë nuk do të mund të jepet duke përdorur çfarëdo procedure tjetër.
Për kontraktimin e shërbimeve për „‟Mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve‟‟, Zyrtari i prokurimit ka përdorur procedurën më kuotim të çmimeve, edhe pse kontrata e tillë ishte e lidhur sipas çmimeve për njësi (kontratë kornizë). Lidhur më këtë çështje ne kemi dhëne rekomandim në raportin e vitit paraprak. Mirëpo edhe përkundër zotimit të menaxhmentit për shmangien e praktikës së tillë të prokurimit, ajo është përdorur edhe gjatë vitit 2014”.
Mos respektimi i procedurave të prokurimit, Auditori konstaton se AKK-ja e bënë procesin jo transparent dhe jo konkurrues.

“Përdorimi i procedurave joadekuate të prokurimit e bënë procesin jo transparentë dhe jo konkurrues si dhe rrezikon kontraktimin e shërbimeve me çmime më të larta nga ato të tregut. Drejtori i AKK-së duhet të sigurojë konkurrencë dhe transparencë të plotë gjatë zhvillimit të proceseve të prokurimit, në mënyrë që paraja publike të shfrytëzohet në mënyrë ekonomike dhe efikase”, thuhet më tej në raportin e Auditorit.

Po ashtu AKK ka bërë pranimin e mallrave para zotimit të mjeteve si dhe anashkalimi i kërkesave të përcaktuara më rregulla të thesarit gjatë procesimit të pagesave.

“Sipas rregullave të Thesarit, fillimisht duhet të bëhet kërkesa për blerje, zotimi i mjeteve, procedohet urdhër-blerja, pastaj të pranohet malli apo shërbimi, dhe pas pranimit të faturës të ekzekutohet pagesa në fjalë. Në dy pagesa në vlerë 1,718€ (pagesa për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve dhe mirëmbajtjen e ndërtesave), zotimi mjeteve është bërë pas pranimit të faturës. Në pesë pagesa tjera në vlerë 11,638€ urdhër-blerja ishte bërë pas pranimit të mallrave dhe faturës. Zyrtari certifikues nuk ka arritur të parandaloj pagesat e lartcekura të cilat nuk ishin në përputhje me rregullat e thesarit”.

Rreziku që është konstatuar nga Auditori është se hyrja në obligime pa siguruar fondet e nevojshme do të rezultojë në vonesa të implementimit të kontratës dhe rritjen e obligimeve të papaguara, të cilat do të jenë barrë për buxhetin e vitit vijues.

“Ndërsa, kryerja e pagesave për mallra dhe shërbime para se të përcaktohen kërkesat/nevojat, mund të rezultojë që të pranohen mallra të cilësisë dhe sasisë jo të nevojshme”, thuhet në raportin e Auditorit për AKK-në.

Po ashtu AKK nuk kishte raportuar të gjitha obligimet e papaguara, mirëpo kishte raportuar vetëm obligimet e vonuara për pagesë (faturat të cilat kanë kaluar afatin prej 30 ditësh nga data e pranimit).

Megjithatë në PVF ishin prezantuar të gjitha obligimet e papaguara. Raporti jo i plotë i obligimeve mujore ishte si rrjedhojë e paqartësisë së mënyrës së raportimit nga ana e zyrtareve financiar.

“Mos raportimi i rregullt i obligimeve të papaguara rrit rrezikun që faturat të mos identifikohen dhe të mos paguhen me kohë. Njëkohësisht, ndajInstitucionit mund të paraqiten ndëshkimet për vonesat në pagesë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat