Fjala e Presidentes Jahjaga në pritjen me rastin e përvjetorit të pavarësisë së SHBA-së

Kosova

Fjala e Presidentes Jahjaga në pritjen me rastin e përvjetorit të pavarësisë së SHBA-së

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 07:53

Sonte jemi mbledhur këtu jo vetëm që të shënojmë përvjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës po edhe për ti shprehur mirënjohje dedikimit të saj të paepur paqes, lirisë dhe demokracisë anekënd botës.

I nderuar Kryeparlamentar,
z. Kryeministër,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës,
E nderuara ambasadore Jacobson,
Kongresmen Engel,
Z. Yazgerdi,
Të nderuar miq të Republikës së Kosovës,
Të nderuar të pranishëm, Zonja dhe Zotërinj
Sonte jemi mbledhur këtu jo vetëm që të shënojmë përvjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës po edhe për ti shprehur mirënjohje dedikimit të saj të paepur paqes, lirisë dhe demokracisë anekënd botës.
Në këtë ditë të posaçme, unë poashtu dëshiroj të shënoj miqësinë e përhershme dhe partneritetin e vlerësuar në mes të popullit të Kosovës dhe popullit Amerikan.
Në secilin moment dhe në secilën kthesë populli I Kosovës ju kishte pranë. Kaluam së bashku shumë pengesa dhe bashkërisht iu gëzuam të arriturave tona- secilës tullë dhe secilit cak, përderisa bashkarisht gjetëm rrugë dhe shkruam këtë kaptinë të re të optimizmit dhe shpresës për ndërtimin e një vendi demokratik dhe të qëndrueshëm.
Ndihma e juaj i ka siguruar qytetarëve të Republikës së Kosovës sot një jetë në paqe. Jo më larg se para dy ditësh, përderisa e mirëprisja në zyrën time Kongresmenin Engel për të diskutuar me të prioritetet tona- kryesisht zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimeve tona Evropiane- e pamë qartë se sa larg kemi arritur. Kongresmen Engel, njëzet e pesë vite më parë, për pothuaj se një dekadë, ne diskutonim çështje ekzistenciale. Sot, populli i Kosovës është i lirë dhe Kosova është një vend i pavarur dhe sovran.
Tani- pas një udhëtimi dramatik dhe të gjatë, ne qëndrojmë të bashkuar si aleatë, si partnerë, si miq- duke punuar për arritjen e caqeve tona të përbashkëta, ti adresojmë kërcënimet e përbashkëta dhe ti forcojmë lidhjet në mes të dy kombeve tona. Gjithmonë duke u munduar që ti qëndrojmë besnikë vlerave të përbashkëta dhe besimit në paqe, drejtësi dhe liri.
Siç e tha dikur John F. Kennedy: “ Le ta dijë secili komb, pa marrë parasysh se a na e do të mirën apo të keqen, se ne do ta paguajmë secilin çmim, do të mbajmë secilën peshë, do të ballafaqohemi me secilën vështirësi, do ta mbështesim secilin mik, do ta kundërshtojmë secilin armik, në mënyrë që të sigurojmë mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.
Dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi që ti shpreh falënderimin tim të përzemërt dhe respektin e popullit të Kosovës ambasadores së SHBA-ve, Tracey Ann Jacobson. Ju faleminderit Tracey për dedikimin tuaj ndaj Kosovës dhe punën e palodhur që keni bërë për forcimin e marrëdhënieve në mes të dy kombeve tona. Do të na mungosh pa dyshim dhe shpresoj se do ta mbani Kosovën në zemrën tuaj. Ne ju jemi falënderues.
Dhe në këtë kontekst, dëshiroj t’ju ftoj zonja dhe zotërinj, që të ngrisim një dolli për të nderuarën zonjën ambasadore dhe të shfaqim falënderimin tonë për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sigurimin e mbizotërimit të lirisë në Kosovë.
Dollia: Mikut tonë të vërtetë në kohë të vështira dhe në kohë gëzimesh!
Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë Amerikën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat