Mustafa e Engel bisedojnë për Dhomat e Specializuara

Kosova

Mustafa e Engel bisedojnë për Dhomat e Specializuara

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 07:18

(E plotesuar)Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim konresmenin amerikan, Eliot Engel.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa dhe kongresisti Engel biseduan për proceset aktuale në Kosovë, për reformat që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në shumë fusha, për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe proceset integruese euroatlantike të Kosovës.

Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kongresisti Engel po japin për Kosovën, në të gjitha fushat.

Duke folur për progresin që po arrihet në Kosovë, kryeministri Mustafa e njoftoi me agjendën e Programit të Qeverisë së Kosovës, i cili e ka prioritet kryesor zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, proceset integruese evropiane si dhe reformat në shëndetësi e arsim, si pjesë përbërëse e zhvillimit të vendit.

Gjatë takimit u bisedua edhe për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe rëndësinë e madhe që ka themelimi i tyre për Kosovën në këtë fazë, pasi që kjo dëshmon se Kosova ka kapacitet për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e saj, për të përmbushur obligimet ndërkombëtare si dhe për të ecur përpara në integrimet euroatlantike.

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, vlerësoi lartë progresin që po arrihet në Kosovë dhe përkushtimin e institucioneve e të popullit të Kosovës për të ecur përpara.

Kongresisti Engel po ashtu shprehu përkrahjen e mëtejshme për avancimin e proceseve dhe progresit në Republikën e Kosovës.

Gjatë takimit u bisedua edhe për dialogun për normalizimin e raporteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si dhe për zhvillimet e tjera në rajon, me ç ‘rast u vlerësua roli konstruktiv i Kosovës në këto procese.

Engel takon Isa Mustafën

​Kongresmeni Amerikan, Eliot Engel në këto momente ka takuar kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën.

Ai dje u tha deputetëve se Gjykata Speciale do të formohet por mbetet të vendoset se a do ta formojnë deputetët e Kosovës apo OKB-ja. Themelimi nga kjo e fundit, sipas tij nuk do të ishte opsion i mirë për Kosovën.

Eliot Engel sot takon Mustafën e Ahmetin

Kongresmeni amerikan Eliot Engel, i cili për disa ditë qëndroi në Prishtinë, sot do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Mustafa do ta presë Engelin në ndërtesën e Qeverisë në orën 08:00
.
Kongresmeni amerikan, pas takimit me Mustafën pritet të udhëtojë për në Maqedoni, ku edhe do të takojë kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin.

Ndryshe, Eliot Engel dje mori pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 25 vjetorit të Kushtetutës së Kosovës, ku tha se ai është dhe do të mbetet mik i shqiptarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat