Kosova e ShBA-të miqësi të përjetshme

Kosova

Kosova e ShBA-të miqësi të përjetshme

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 21:29

(I plotësuar) - Miqësia mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës u bë për të mos u prishur kurrë. Kështu u tha në organizimin e përvjetshëm të ambasadës amerikane në Kosovë për kremtimin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, ku edhe krerët e shtetit të Kosovës falënderuan shtetin amerikan për ndihmën e dhënë që qytetarët e Kosovës sot të jetojnë në paqe dhe të lirë.

Një miqësi dhe mike e jashtëzakonshme

E thjesht, fisnike dhe një grua e devotshme, nuk i lodh të ftuarit, miqtë e Amerikës me fjalë të gjata. Ajo vetë thotë se do ti bie më shkurt, pasi ajo tashmë është në përfundim të misionit dhe rrëfen shkurt emocionet e saj. Ajo tha se ishte shumë e nderuar me mikpritjen e jashtëzakonshme në Kosovë.
Një mike, një diplomate e jashtëzakonshme, po veçonte edhe njëherë vlerat fisnike, tradicionale, ato që ka gjetur përherë.
Ky mbase është mesazhi me të cilin miqtë tanë duan të na shohin përherë dhe të identifikohemi nëpërmjet tij, ashtu siç ne vetë e kemi kodifikuar jetën tonë, mijëra e mijëra vjet më parë, ndoshta në mugëtirën e qytetërimeve.
Kush e mban kodin më të lashtë, ai e ka krijuar zanafillën e qytetërimit, ai e ka zjarrin e Prometeut, ai foli i pari me Zotin!
Dhe ambasadorja e SHBA-së në Kosovë Tracey Ann Jacobson, si për të përkujtuar këtë kod të shqiptarëve, falënderoi qytetarët e Kosovës për mikpritjen.
Kjo lidhje krijon emocione të fuqishme tek shkëlqesia e saj. Zonjës Jakobson, gjithmonë do ti mungojë një pjesë e zemrës së saj. “Një pjesë e zemrës sime do të mbetet gjithmonë në Kosovë”, tha Jacobson, duke e forcuar edhe më tej këtë ndjesi: ‘Të gjithë në Kosovë kanë qenë pjesë e mrekullueshme e viteve që kam jetuar këtu’.

Ndërsa, e ka falënderuar edhe presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, duke e vlerësuar si shembull të udhëheqjes me integritet, ajo është plot shpresë se Kosova do të ec para me shpejtësi: “Ne kemi parë përparime dhe sfida, por në fund ky vend na ka lënë mbresa si një vend i ri dhe dinamik që shikon drejt të ardhmes”, tha Jacobson.
Edhe Kongresisti Eliot Engel shfaqi raportin e tij emocional me Kosovën, shqiptarët, madje duke e parë Kosovën si zëvendësim për të festuar përvjetorin e pavarësisë së SHBA-ve. “Nuk do të gjeja një vend më të mirë se sa Kosovën për ta festuar këtë përvjetor”, tha Kongresmeni Eliot Engel, që prej më se një çerek shekulli bashkëjeton me fatin e shqiptarëve, veçanërisht të neve në Kosovë, duke u shndërruar në avokat të çështjes shqiptare.

Nuk ka munguar as shprehja e respektit të popullit shqiptarë për popullin amerikan dhe gjithë atë që kanë bërë SHBA-të për Kosovën. Vlerësimin dhe emocionet në emër të tyre e ka bërë presidentja e vendit, e vetmja e cila ka folur është presidentja Atifete Jahjaga. “Në këtë ditë të posaçme, unë po ashtu dëshiroj të shënoj miqësinë e përhershme dhe partneritetin e vlerësuar në mes të popullit të Kosovës dhe popullit Amerikan”, u shpreh ajo.
Presidentja i shprehu mirënjohjen e përjetshme SHBA-ve për luftën në vitin 1999 dhe për përpjekjet e paepura për ndërtimin e paqes, lirisë dhe demokracisë në Kosovë.
“Tani- pas një udhëtimi dramatik dhe të gjatë, ne qëndrojmë të bashkuar si aleatë, si partnerë, si miq- duke punuar për arritjen e caqeve tona të përbashkëta, ti adresojmë kërcënimet e përbashkëta dhe ti forcojmë lidhjet në mes të dy kombeve tona. Gjithmonë duke u munduar që ti qëndrojmë besnikë vlerave të përbashkëta dhe besimit në paqe, drejtësi dhe liri”.
E para e vendit theksoi se në secilin moment dhe në secilën kthesë populli i Kosovës e kishte pranë SHBA-në, ku kaluan së bashku shumë pengesa dhe bashkërisht iu gëzuan të arriturave deri në ndërtimin e një vendi demokratik dhe të qëndrueshëm.
Jahjaga e ka cituar një thënie të ish presidentit amerikan John F. Kennedy, për zotimin amerikan ndaj miqve për të siguruar lirinë: “Le ta dijë secili komb, pa marrë parasysh se a na e do të mirën apo të keqen, se ne do ta paguajmë secilin çmim, do të mbajmë secilën peshë, do të ballafaqohemi me secilën vështirësi, do ta mbështesim secilin mik, do ta kundërshtojmë secilin armik, në mënyrë që të sigurojmë mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.
Ajo e përmbylli fjalën me ngrehjen e një dollie: “Mikut tonë të vërtetë në kohë të vështira dhe në kohë gëzimesh!”, për ta vazhduar me frazën rugoviane për Amerikën!
“Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë Amerikën!”, tha Presidentja.
Ishte presidenti Ibrahim Rugova, i pari i cili i dha një dimension të jashtëzakonshëm miqësor raporteve me SHBA-të. Ishte i pari

Një mesazh tjetër për shtetndërtimin

Miqtë tanë kanë bërë edhe një hap më tej. Aty shërbeheshin lëngje vendore më shumë se kudo tjetër në Kosovë, përveç pijeve të gazuara që zakonisht konsumohen këtu, dhe ato alkoolike, birra dhe verëra.
Pra, ishte zgjedhur me kujdes, një mesazh tjetër për t’ia kujtuar mbase elitës politike, dhe mysafirëve të tjerë aty nga vendasit, se zgjidhja e duhur është edhe tek kultura e konsumit, me mesazhin se shqiptarët më shumë duhet të konsumojnë prodhime vendore.
Deklarata e Pavarësisë së SHBA-ve u shpall nga Kongresi Kontinental më 4 korrik 1776, në qytetin Filadelfia të Pensilvanisë, e cila i jepte fund 13 kolonive nga Britania e Madhe, për të vazhduar më tej njohja e pavarësisë për kolonit tjera, dhe për të arritur tek harta dhe shtetet federale që sot e përbëjnë Amerikën.

Kryeredaktori i "Bota sot" Idriz Morina, i ftuar në kremtimin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat