Opozita u tërhoq nga debati parlamentar për EULEX-in

Kosova

Opozita u tërhoq nga debati parlamentar për EULEX-in

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 19:25

Ndonëse vet kishin kërkuar që të zhvillohej debat parlamentar lidhur me veprimtarinë e misionit të BE-së në Kosovë,EULEX, deputetët e opozitës përkatësisht inicuesja e këtij debati deputetja nga radhët e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, në mungesë të një numri të madh të deputetëve dhe kabinetit qeveritar, pas një debati të gjerë dhe mos pajtimesh , tërhoqi si pikë të rendit të ditës këtë debat.

Deputetja Haxhiu tha se ka tri arsye pse duhet të shtyhet për seancën e nesërme debati lidhur me misionin e BE-së në Kosovë.

Sipas saj në këtë debat është dashur të jetë të paktën i pranishëm kryeministri Isa Mustafa, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, ministri i Jashtëm Hashim Thaçi dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni.

Ajo po ashtu theksoi se ky debat duhet të zhvillohet atëherë kur ka transmetim të seancës, pasi që qytetarët duhet ta dëgjojnë.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se kjo çështje është dashur të diskutohet qysh në fillim të seancës dhe se tash nuk ka mundësi të bëhet tërheqja e kësaj pike.

Edhe shefi i GP të LDK-së Ismet Beqiri, si kolegu i tij nga PDK-ja, i tha kryetarit të Kuvendit se seanca duhet të vazhdojë derisa të shtirret debati.

Kjo nuk u mirëprit nga deputetët e partive opozitare të cilët kërkuan mirëkuptimin e pozitës për tërheqjen e pikës.

Zafir Berisha: Po befasohem nga kolegët e dy partive

“Unë po befasohem nga kolegët nga dy partitë, e dëgjuam më herët që thirren në praktikat parlamentare dhe ky Kuvend shpesh i ka përfunduar mbledhjet kësisoj kur nuk ka pas kuorum dhe vetvetiu kanë vazhduar të nesërmen”, tha Berisha.

Kjo edhe nxiti reagimin e pozitës, sipas së cilëve opozitës asnjëherë nuk po i konvenojnë votime apo vendime në Kuvend.

Grabovci: Asnjëherë nuk po i bie taman opozitës

“Na mundemi të debatojmë tashti, ta shtjerrim debatin, nëse ka nevojë për votim atëherë ta lëmë dhe rekomandimet mund t’i qesin në votim në një seancë të radhës. Na me të vërtet jemi në dilema, asnjëherë nuk po i bie taman opozitës”, tha Adem Grabovci.

E ky debat sipas shefit të GP të LDK-së Ismet Beqiri ka mundur edhe të mos ngrihet fare.

Beqiri: Ne mendoj që ndoshta nuk është dashtë me u ngritë hiç ky debat

“Unë e thash njëherë mendimin, më lejoni edhe njëherë me përsërit, është kërkuar debat, le të flasin çka kanë për të thënë...Nëse e analizojmë është mendim i tyre që është e rëndësishme me u debate që na nashta mendojmë që nuk është dashtë me u ngritë hiç”, tha Beqiri.

Diskutimi për sistemin e drejtësisë dhe për çështje të tilla sipas deputeti të LDK-së Armend Zemaj nuk është në kompetenca e kuvendit, për çka sipas tij në mandatin e kaluar kur kishte pasur kërkesa e debate të tilla, kishte mbetur një “njollë e zezë” në Raportin e Progresit, duke i thënë kryetarit se kjo vërejtje shkon për të dh e kryesin e kuvendit të cilët duhet t’i shqyrtojnë çështjet që kërkohen të debatohen.

E interpretimi që iu bë rregullores së punës për këtë shtyrje që kërkonte deputetja Haxhiu, nuk i pëlqeu nënkryetarit të kuvendit Sabri Hamiti i cili mori fjalën pas kërkesës së Veselit

Hamiti: Interpretim sipas dëshirës po i bëhet rregullores

“Po um thirre edhe duhet, se e kam bezdi të jashtëzakonshme të flas diçka pas asaj që dëgjova këtu. Të gjithë janë deputet shumica po thonë që janë edhe interpretues shumë të mirë të ligjeve dhe të rregullores, po unë po ju them që nashta dinë por e interpretojnë si llastik si donë kur të donë”, tha Hamiti.

Pas tërë këtij diskutimi ku Hamiti tha që kryesia nuk mund të bëj asgjë për të shtyrë këtë pikë të rendit të ditës, deputetja Haxhiu tha se subjekti i saj me mbështet të opozitës e të rheqin këtë debat, për ta rikthyer në një seancë tjetër.

Haxhiu: Po e tërheqim debatin

“Ne u munduam që të paktën me argumente ta bindim pozitën se pse është e rëndësishme që ky debat të zhvillohet kur janë të pranishëm Qeveria në Seancë plenare, po e shihni që as edhe një ministër i vetëm, lërë më kryeministri, nuk janë të pranishëm, për një temë tepër të rëndësishme. Meqë jemi në një situatë të tillë ne si grup parlamentarë me përkrahje të opozitës e tërheqim debatin parlamentarë për EULEX-in dhe sigurisht që do ta procedojmë shumë shpejt”, tha Haxhiu.

Ndryshe në seancën e sotme deputetët shqyrtuan dhe miratuan disa projektligje dhe hodhën poshtë disa raporte./A.Sahiti/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat