Ferizaj: ​Së pari asfaltimi i rrrugës pastaj semaforët

Kosova

Ferizaj: ​Së pari asfaltimi i rrrugës pastaj semaforët

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 16:33

Në vazhdën e projekteve infrastrukturore që po realizon komuna e Ferizajt, të enjten është kryer pjesa e asfaltimit të segmentit të rrugës "Ahmet Kaçiku" që lidhet me udhëkryqin e rrugës "Vllëzërit Gërvalla", një projekt ky i komunës i cili synon që të lehtësojë qarkullimin rrugor i cili në këtë pjesë është mjaftë i frekuentuar.

Me këtë rast u tha se kjo përbën vetëm fazën e parë, ngase pas asfaltimit në këtë udhëkryq do të vendosen edhe semaforët.

Punimet në këtë projekt nga afër i ka përcjellur edhe kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili projektin e ka vlerësuar si të rëndësishëm për qytetin.

"Ky projekt do ta lehtësojë shumë qarkullimin në këtë pjesë të qytetit, e rëndësishme është se për herë të parë në komunën e Ferizajt komunikacioni do të rregullohet nëpërmjet të semaforëve më modernë", tha Svarqa.

Bëhet e ditur se vendosja e semaforëve në këtë pjesë të qytetit komunës i ka kushtuar mbi 100 mijë euro. Kryetari Svarqa, foli edhe për disa probleme të cilat janë shfaqur me disa pronarë të lokaleve por edhe me drejtues të hekurudhave të Kosovës, probleme këto të cilat tanimë janë tejkaluar.

“Por edhe ata e kanë parë që kjo ka qenë një domosdoshmëri e kohës dhe mendoj se gjithçka do t’i takojë së kaluarës. Edhe problemet e vogla që kemi pasur me hekurudhën me bashkëpunim dhe me biseda të shumta janë zgjidhur në mënyrë fatlume, në të mirë të dyanshme ”, është shprehur Svarqa.

Gjatë ditës janë ekzekutuar punimet edhe në asfaltimin e shtresës së dytë në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, projekt ky i Ministrisë së Infrastrukturës dhe komunës së Ferizajt./kp

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat