​Akademia e Shkencave nderon 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese

Kosova

​Akademia e Shkencave nderon 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 15:06

Në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës u përkujtua 25 vjetori i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990, deklaratë kjo e cila atë kohë u nënshkrua nga 111 delegatë.

Sot gjatë kësaj akademie të pranishëm ishin shumica prej delegatëve, duke mos përfshirë ata të cilët tashmë nuk janë në mesin e tyre dhe ata të cilët jetojnë jashtë shtetit.

Me këtë rast kryetari i Akademisë, Hivzi Islami, tha se janë mbledhur për të kujtuar një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, në të cilën Kosova do të bëhej shtet në vete.

“Jemi mbledhur sot këtu në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës për ta shënuar dhe kujtuar një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë më të re të Kosovës. Pikërisht para një çerek shekulli , me 2 korrik 1990 delegatët e tri dhomave të Kuvendit të atëhershëm…e shpallën Deklaratën Kushtetuese që njihet si Deklarata e Pavarësisë…në të cilën Kosova do të bëhej shtet në vete…Deklaratën Kushtetuese e nënshkruan 111 delegatë…28 prej të cilëve nuk janë më në mesin tonë”, tha Islami.

E, për të kujtuar atë kohë foli edhe kryetari i Kuvendit të atëhershëm, Ilaz Ramajli, i cili tha se ato demonstrata të asaj kohe kanë treguar revoltën e popullit për pozitën e pavolitshme të Kosovës në ish-Jugosllavi.

“Demonstratat e viteve 60-ta, 81, 89 për mëvetësi të Kosovës ishin shprehje publike e revoltës gjithë popullore me pozitën e pavolitshme të Kosovës dhe kundërpërgjigje e planeve shoviniste serbe për aneksimin e Kosovës dhe për uzurpimin e të drejtave kombëtare të popullit shqiptar në ish- Jugosllavi. Deklarata e 2 Korrikut u miratua dhe u shpall nga Kuvendi pikërisht në kohën kur nuk kis hte asnjë dyshim se ish -Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pa kthim të shpërbërjes së saj”, tha Ramajli.

Ndërsa delegati i Kuvendit të atëhershëm Nazmi Kelmendi, tha se kushtet të cilat u ofroheshin shqiptarëve në atë kohë bënë që delegatët të tuboheshin dhe të miratonin aktin e nevojshëm të asaj kohe.

“Kanë qenë gjitha parakushtet pas shkatërrimit të pozitës kushtetuese të Kosovës me heqjen e autonomisë nga ana e Serbisë dhe amendamenteve të 23 marsit pastaj vrasjeve që filluan nëpër tërë Kosovën, helmimeve të nxënësve dhe studentëve…dhe gjitha kërkesat popullore duke filluar së fundi edhe me deklaratën e Akademisë së Shkencave ne si delegatë të Kuvendit të Kosovës u tubuam…dhe miratuam aktin e nevojshëm të kohës”, tha Kelmendi.

S ipas të pranishmëve data e 2 Korrikut të vitit 1990 do të mbahet mend gjithmonë, për faktin që populli vendosi të mos vazhdonte nën sundimin dhe nënshtrimin e Serbisë dhe të miratonte Kushtetutën e Kosovës, e cila ia lejonte të ishte shtet në vete.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat