Shkollat me mësim gjithëditor në Prishtinë: Mësuesit kanë dyshime

Kosova

Shkollat me mësim gjithëditor në Prishtinë: Mësuesit kanë dyshime

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 14:32

Komuna e Prishtinës, për herë të parë në arsimin publik në Kosovë, do të fillojë me një pilot projekt në tri shkolla të kryeqytetit, ku do të zhvillohet mësim gjithëditor.

Mësuesit e shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë, e cila është njëra nga shkollat që do të përfshihet në këtë test-projekt, në kushte anonimiteti kanë thënë për lajmi.net, se dyshojnë që një formë e tillë e mësimit do të mund të realizohet, sidomos me kushtet aktuale.

Por në anën tjetër Komuna e Prishtinës, ka besim në projektin që po përgatitet ta fillojë.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, në një intervistë për lajmi.net, ka thënë se pilot projekti i cili do të fillojë së implementuari në tri shkolla fillore të kryeqytetit do të përfshijë aktivitete të ndryshme, dhe se Komuna është duke punuar në krijimin e të gjitha kushteve për të pasur sukses me këtë nismë.

“Gjatë kësaj kohe shtesë do të zhvillohen aktivitete të ndryshme, më konkretisht do të ketë mësim shtesë, që do të organizohet prej nxënësve që janë të talentuar në lëndë të veçanta, mësim plotësues për ata që kanë ngecje në lëndë të caktuara, aktivitete kulturo-artistike që nënkupton aktivitete të dramës, muzikës dhe të ngjashme, pastaj aktivitete sportive. Por edhe të tjera, si ato që ndërlidhen me mësimin e gjuhëve të huaja, kryesisht do të ofrohen gjuhët të cilat nuk janë në kurrikulën e rregullt shkollore. E gjithashtu do të ketë edhe vizita dhe mësim në natyrë”, ka thënë drejtoresha Nagavci.

Ky lloj mësimi gjithëditor, apo koha sa fëmijët do të qëndrojnë në ambientet e shkollës, sipas drejtoreshës Nagavci, do të bëhet varësisht nga mosha e nxënësve.

“Për fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e tretë, do të jetë një orar më i shkurtër. Orari do të shtohet vetëm për një orë e tridhjetë minuta nga ai i zakonshmi. Ndërsa për ata prej klasës katër deri në të pestën, do të jenë diku rreth dy orë më i gjatë, dhe për nxënësit e klasës së gjashtë deri në të nëntën, të cilët janë në një moshë më të madhe aktivitetet do të jenë me një kohëzgjatje pak më të madhe”.

Ndërsa sa i përket shkollës fillore “Faik Konica”, ku mësuesit shprehin dyshime për kushtet që ky projekt të realizohet, Nagavci tha se në këtë shkollë do të ndërtohen dy klasa verore dhe se janë në përfundim të vlerësimit të mundësive për ndërtimin e një aneksi në atë pjesë ku do të ishte një kuzhinë shkollore apo hapësira që, siç vlerëson ajo, janë të nevojshme për shkollën.

Megjithatë, sa i përket asaj se a do të ushqehen fëmijët në shkolla, Nagavci tha se kjo është diçka që do të vendoset bashkërisht me prindërit pasi qëllimi është që të funksioanlizohen edhe kuzhinat shkollore, e që sipas saj ekziston mundësia që edhe prindërit të participojnë.

Një shqetësim tjetër, i cili mund të ngritet sërish nga mësimdhënësit, është ai i pagave, nëse do të ketë rritje për ata që do të përfshihen në këtë projekt, apo do të punohet me paga të njëjta.

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Arbërie Nagavci, thotë se pagat do të jenë të njëjta, pasi ata pavarësisht asaj se vazhdojnë të punojnë nga vetëm katër orë në ditë, në kontratë e kanë të caktuar orarin tetë orësh.

Ky pilot projekt i Komunës së Prishtinës, pritet që të funksionalizohet nga 1 shtatori i këtij viti, në tri shkolla fillore të Prishtinës, atë “Model”, “Afrim Gashi” në Hajvali dhe “Faik Konica”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat