Deklarata kushtetuese e 1990-së, pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës

Kosova

Deklarata kushtetuese e 1990-së, pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 07:09

(E plotësuar) Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, Kuvendi i Kosovës mbajti sot një seancë solemne, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit. Në këtë mbledhje morën pjesë deputetët e Kuvendit të Kosovës, delegatët e Kuvendit të Kosovës të Legjislaturës dhjetor 1989 - maj 1992, të kryesuar nga Ilaz Ramajli, si dhe ambasadorë dhe diplomatë të vendeve të ndryshme nga bota, e pjesëmarrës të tjerë.
Seancën solemne e hapi me një fjalë rasti, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili përgëzoi delegatët e Kosovës, të cilët më 2 korrik të vitit 1990 miratuan Deklaratën Kushtetuese për pavarësinë e Kosovës, e njohur si Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut. Në emër të pjesëmarrësve dhe në emrin e tij ,kryekuvendari Krasniqi pastaj i shprehu mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e Kosovës, mikut të shquar të vendit tonë, të pavarësisë dhe lirisë sonë, kongresmenit Eliot Engel. Ndërkaq, në vijim z. Veseli theksoi se në këtë ditë, 25 vjet më parë, delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, nxorën Deklaratën Kushtetuese.
"Sot, kemi nderin t'i kemi këtu në Kuvendin e Kosovës të lirë dhe të pavarur, dhe njëkohësisht, të shprehim nderim për ata delegatë që tash nuk janë në mesin tonë.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 përbën një moment të rëndësishëm në historinë e lëvizjes sonë kombëtare të gjysmës së dytë të shekullit XX. Kjo lëvizje kishte filluar me demonstratat e vitit 1968, ishte rritur në aktivitetet e organizatave patriotike ilegale të asaj kohe,kishte shpërthyer vrullshëm në pranverën studentore të vitit 1981, për të vazhduar me demonstratat e fuqishme të viteve 88, 89 dhe 90. Ishte një përballje e madhe me nacionalizmin agresiv serb, ndërsa në qendër të kësaj përballje ishte trashëgimia e rendit kushtetues të vitit 1974. Serbia kërkonte më pak se 74-shi, ndërsa Lëvizja jonë kombëtare synonte më shumë. Shqiptarët nuk mund të mashtroheshin me masa gjysmake ekonomike dhe politike. Duhej dhënë fund diskriminimit kombëtar që shqiptarëve u bëhej në të gjitha nivelet e sistemit jugosllav. Barazi ose shkëputje:ky ishte vullneti politik i asaj kohe. Në vitin 1989 Serbia përmes dhunës policore ndërmori agresionin kushtetues ndaj Kosovës. Përmes këtij agresioni Kosovës iu hoqën të drejtat kushtetuese të vitit 1974. Një vit më pas delegatët e Kuvendit të Kosovës bën atë që ishte vullnet politik kohe i qytetarëve, përmes Deklaratës Kushtetuese anuluan agresionin kushtetues të Serbisë të marsit '89 dhe njëkohësisht avancuan shumë të drejtat kushtetuese të Kosovës.
Kosova bëhej subjekt i barabartë politik me republikat tjera të ish- Jugosllavisë.
Ishte një veprim i duhur dhe në momentin e duhur.
Duke i bërë një vështrim çështjes së ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës, Kadri Veseli në vijim tha:" Jugosllavia komuniste nuk kishte gjasa për të mbijetuar dhe duke aneksuar Kosovën, Serbia synonte që në shpërbërjen e Jugosllavisë Kosova të mos figuronte fare si çështje ndërkombëtare. Kësisoj Serbia synonte të shkatërronte bazën legale të së drejtës së Kosovës për shkëputje.
Përkundër kësaj, Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut ishte avancim i kësaj baze legale. Ishte një pikënisje e duhur për platformën e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Kjo do të thoshte se Kosova nuk mund të trajtohej si çështje e brendshme e Serbisë. Ëndrra jugosllave kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë.
Fitorja jonë e parë e madhe është pikërisht fitorja në luftën për ndërkombëtarizimin e çështjes sonë. Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut dhe lëvizja civile e viteve -90 kanë meritat e mëdha në këtë fitore.
Ato ishin një ndihmesë e madhe kur erdhi momenti i madh, dita e madhe e fillimit të kryengritjes së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kur ne rrokëm armët, bota tanimë e kishte të qartë se këtë po e bënim për një kauzë të madhe, kauzën e lirisë. Kjo na solli përkrahjen politike dhe ushtarake të botës demokratike", thheksoi z. Veseli.
Duke përshkruar rezultatet e rezistencës së armatosur drejt kauzës së lirisë, z. Veseli tha: "Më 1999 ne nuk fituam vetëm lirinë, por fituam edhe rreshtimin në anën e drejtë të historisë, në anën e demokracive perëndimore. Falë këtij rreshtimi ne ecëm më tutje, e bëmë Kosovën shtet të pavarur dhe tani po e konsolidojmë këtë shtet për ta bërë të gatshëm për integrimet euro-atlantike. Prandaj, për ne ky rreshtim është dhe do të mbetet vlerë e pacenueshme kombëtare. Ne besojmë në këtë vlerë. Ne besojmë në partneritetin me botën perëndimore, si e vetmja rrugë për t'i zgjidhur problemet dhe tejkaluar sfidat e shtetndërtimit dhe integrimit.
Ne do të kemi sukses!, u shpreh kryekuvendari Veseli.
Në vijim fjalën e mori kongresmeni amerikan Eliot Engël, i cili u falënderua për fjalët e përzemërta që iu drejtuan atij. Në këtë frymë ai tha: "Dëshiroj të përshëndes të gjithë miqtë e mi të Kosovës. Është hera e tretë që kam mundësinë që t' i adresohem Kuvendit dhe kjo është një nder i madh për mua. Kur vij në Kosovë unë ndihem si në shtëpinë time, njerëzit e Kosovës më kanë përshëndetur me një dashamirësi shumë të madhe dhe kudo që shkoj njerëzit janë me mua, më përshëndesin dhe duan të fotografohen me mua. Me miqtë e mi, jam rritur. Me politikën time për Kosovën jam zgjedhur në Kongresin e SHBA-së më 1988. Ndërkaq, një vit më vonë shoku im Hari Bajraktari, i cili ka lindur këtu dhe ka jetuar në Nju-Jork ka ardhur në zyrën time dhe më ka treguar se çka ka ndodhur në Kosovë. Ai takim ma ndryshoi jetën time dhe shpresoj që ndoshta ka ndryshuar jetën këtu. Sepse sa më shumë që kam dëgjuar për padrejtësitë që kanë ndodhur në Kosovë, aq më shumë kam dashur të jem pjesë e luftës , pjesë e ndihmesës për të sjellë lirinë dhe demokracinë në këtë vend të mrekullueshëm", theksoi ai.
Në vazhdim ai tha se për shumë vite ka shkuar në Kongres dhe ka biseduar rreth pavarësisë dhe lirisë së Kosovës, duke u angazhuar për një Kosovë të lirë dhe demokratike dhe të pavarur, ashtu si është, ndaj edhe është këtu në një Kosovë të lirë dhe të pavarur.

Z. Engel, nuk u përmbajt edhe nga emocionet duke folur për ndjenjën ndaj Kosovës, duke u shprehur me fjalët e tij më të ngrohta, për gjithë atë që ndien ndaj Kosovës, për njerëzit e këtij vendi të mrekullueshëm, si theksoi ai, dhe për perspektivën e saj zhvillimore.
"Është kënaqësi dhe nder të flas para jush. Ka shumë njerëz që kanë dyshuar dhe kanë thënë se nuk mund të jeni shtet i zhvilluar. Në vitet e 90-ta, kemi bërë përpjekje që të organizojmë zgjedhje të lira në Kosovë. Regjimi i Millosheviqit nuk më ka lënë të hyjë brenda dhe kam organizuar një konferencë për shtyp, në kufirin në mes Maqedonisë dhe Kosovës. Ka pasur shumë media aty dhe më kujtohet shumë mirë se kam humbur syzet e nuk shihja mirë, por kam qenë në gjendje të them atë që kam menduar. Kam thënë se jam pikërisht në shteg të Kosovës. E kam ditur sikurse të gjithë ju se Kosova një ditë do të jetë një realitet. Dhe siç e dini të gjithë ju Kosova nuk ka mik më të mirë se Shtetet e Bashkuar të Amerikës, shtet ky që gjithmonë do të qëndrojnë përkrah Kosovës.
Gjatë fjalës së tij ai u ndal edhe në disa probleme të ditës, me të cilat ballafaqohet Kosova, siç është çështja e Gjykatës Speciale, për të cilën ai shprehu mendimin se Kosova duhet të përkrahë themelimin e saj, meqë nëse vepron ndryshe, atëherë ajo do të formohet nga ana e OKB-ës. Ai tha se angazhohet që shtetet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë, ndërsa kur është fjalë për çështje të brendshme të Kosovës, ai përmendi domosdoshmërinë e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit, duke premtuar njëkohësisht se Kosova gjithnjë do të gëzojë përkrahjen e tij.

Në vijim pjesëmarrësve iu drejtua Ilaz Ramajli, kryetar i Legjislaturës dhjetor 1989 - maj 1992. Duke u falënderuar për mbajtjen e kësaj seance në nderim të kësaj ngjarjeje të shënuar, z. Ramajli tha:"Para 25 vjetësh mu në kohën kur po e mbajmë këtë mbledhje, kjo sallë ishte e zbrazët edhe pse në të, atë ditë duhej të ishin delegatët dhe të mbanin mbledhje e cila ishte caktuar rregullisht. Salla ishte e zbrazët, por të gjithë delegatët me kohë kishin ardhur për mbledhje , por dyert e Kuvendit ishin mbyllur me urdhër të kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, ashtu si edhe të gjitha hapësirat e Kuvendit dhe të organeve të tjera qeveritare. Në këtë ndërtesë ishin vendosur nën kontroll të plotë të njësive të policisë serbe , e cila vepronte në kuadër të policisë federale të instaluar në Kosovën e atyre ditëve".

Ilaz Ramajli theksoi tutje se një këso ngjarje asnjëherë nuk kishte ndodhur dhe nuk ishte parë në historinë e parlamentarizmit të shteteve evropiane,që përfaqësuesve të zgjedhur të popullit nuk iu lejohej që të hyjnë në tempullin e tyre, në mënyrë që të kryejnë obligimin e tyre, që vullneti i shprehur unanimisht përmes tubimeve të panumërta të qytetarëve të Kosovës, të formësuar përmes Deklaratës së Akademisë së Shkencave të Kosovës të 14 qershorit 1990 dhe Deklaratës së forumit të partive rishtas të krijuara në Kosovë më 1 korrik 1990, t' i japin formën e një akti kushtetues, me të cilin do të përcaktohej dhe shpallej e drejta e Kosovës për vetëvendosje, mvetësi dhe pavarësi. Deklarata Kushtetuese , tha në vijim z. Ramajli, është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, që u ndërtua me Lëvizjen paqësore për çlirim,ndërsa kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t' u realizuar e plotë më 17 shkurt 2008. Duke përfunduar fjalën e tij ai përkujtoi 28 delegatë, të përbërjes që shpalli Deklaratën Kushtetuese, të cilët tashmë nuk janë të gjallë, duke shprehur për ta dhe familjet e tyre respektin më të thellë.
Në kuadër të seancës u shfaq edhe një film dokumentar, në të cilin flitej për rrugën e Kosovës drejt pavarësisë.

Shënohet 25-vjetori i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990

Sot bëhen 25 vite nga shpallja e Deklaratës së Kushtetuese e Kosovës më 2 korrik 1990 e cila llogaritet të jetë, hapi i parë historik e institucional drejt pavarësimit të Kosovës.

Me këtë rast Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë solemne në orën 11:00.

Më poshtë keni deklaratën e plotë të lexuar me 2 korrik 1990

“Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e ASHA të Kosovës për pozitë të re kushtetuese të Kosovës, si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpallë:
DEKLARATËN KUSHTETUESE MBI KOSOVËN SI NJËSI TË PAVARUR DHE TË BARABARTË NË KUADËR TË FEDERATËS (KONFEDERATËS) TË JUGOSLLAVISË SI SUBJEKT I BARABARTË ME NJËSITË E TJERA NË FEDERATË (KONFEDERATË)
Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.
Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të
Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.
Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim,duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.
Prishtinë, më 2 korrik 1990. Delegatët nënshkrues të Deklaratës:

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat