Adriana Hoxhiq: Heqja e Parkut të Paqes në Mitrovicë nuk i shuan tensionet

Kosova

Adriana Hoxhiq: Heqja e Parkut të Paqes në Mitrovicë nuk i shuan tensionet

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 22:40

Shefja e Zyrës Administrative në Komunën e Mitrovicës së Veriut, Adriana Hoxhiq, ka folur për ndryshimet pozitive që kanë ndodhur prej marrjes së postit nga ana e saj e deri tani.
“Më nuk e kemi atë presion në terren me të cilin jemi ballafaquar në fillim të misionit tim. Unë gjithmonë e kam ndjerë si obligim moral që në komunën në të cilën kam lindur të instalohen shërbime efikase”, ka thënë Hoxhiq.

Hoxhiq, në emisionin Zona B në Klan Kosova, gjithashtu është shprehur se zyra të cilën e udhëheq nuk i përmbush kushtet që të quhet Komunë.

“Nuk mund të quhet Komunë, por unë e quaj Administratë Komunale”.

Sipas saj, as politikanët e Kosovës e as të Serbisë nuk bazohen në të dhënat e terrenit.

“I kemi politikanët edhe në Kosovë edhe në Serbi, të cilët janë fokusuar që të i arrijnë e të i nënshkruajnë marrëveshjet, e nuk jam e sigurt që i marrin parasysh detajet nga terreni”.

Hoxhiq ka folur edhe për problemin e punësimit në këtë zyrë.

“Është një problematikë teknike, sepse sipas formulës, Komuna e Veriut mund t’i ketë të punësuar 115 persona, kurse zyra i ka 58 të punësuar”.

Ajo gjithashtu e ka përmendur punën e mirë të Kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

“Ne kemi fat që e kemi një kryetar si Rakiq, i cili e ka përkrahur punën që e bën stafi i Zyrës Administrative”.

Shefja e Zyrës Administrative në Komunën e Mitrovicës se Veriut gjithashtu ka folur për keqpërdorimet e buxhetit dhe mungesën e transparencës që mundësojnë për një projekt të paguajnë të dy shtetet.

“Prishtina duhet të gjejë një mënyrë që për të gjitha financimet që vijnë nga Serbia, dhe çdokush tjetër, të vendosë në mënyrë transparente”.

“Sa e di unë, pasqyrimi i harxhimeve që bëhet nga sistemi i Serbisë nuk figuron në sistemin e Kosovës”.

“Qëllimi është që të mos i duplifikojmë shpenzimet për një projekt”.

E pyetur për pagesën e faturës së rrymës, Hoxhiq iu përgjigj Haxhiut se nuk e di kujt duhet t’ia paguajë këto para.

Kurse sa i përket faturës së pastrimit, ajo është shprehur se e paguan gjithmonë.

“Për çdo muaj, unë dhe bashkëshorti im e ndajmë një fond, sepse e dimë se duhet të paguajmë, por tani për tani tek shtëpia më vjen një faturë që për mua nuk është valide”.

“Faturën e kompanisë së pastrimit e paguaj rregullisht, sepse kompania Standard paguhet dhe menaxhohet nga sistemi i Serbisë”, është shprehur Hoxhiq.

Ajo gjithashtu ka folur për marrëdhëniet e mira që ekzistojnë në mes kompanisë së pastrimit në Mitrovicën e Veriut dhe asaj në Mitrovicën e Jugut.

Hoxhiq është shprehur se nuk është e informuar saktë për njerëzit të cilët janë zhvendosur.

“Kam kërkuar nga Ministria e Brendshme që të autorizohen zyrtarët tanë të shkojnë t’i marrin ekstraktet dhe t’i sjellin në Mitrovicën e Veriut, që të kemi mundësi që t’i regjistrojmë”.

“Nuk e di asnjë institucion që i ka informatat e sakta. Habitati i ka pasur disa informata, por nuk janë rifreskuar”.

Ajo ka folur për rastin e kosovarit i cili e riktheu pronën e tij në Mitrovicën e Veriut.

“Rasti i Alushit do të jetë një shembull për të gjithë ata që i kanë uzurpuar pronat e huaja”.

“Ne nuk kemi folur medialisht për rastin e Alushit, por unë personalisht, por dhe si zyrtare, besoj se Alushi e di që ne e kemi ndihmuar që të kryhet ajo punë pa tensione”.

Është diskutuar edhe për bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Unë kam pritur që Prishtina të ketë informata më të thella lidhur me bisedimet në Bruksel”.

“Njëherë kam qenë në Bruksel, për të biseduar për mallrat që importohen dhe eksportohen në Kosovë”.

Për Parkun e Paqes, Hoxhiq është shprehur se edhe po të hiqej, tensionet nuk do të shuheshin.

“Çka nëse hiqet barrikada, e më pas Parku i Paqes?”.

“Nuk ia mbush barkun askujt Parku i Paqes”.

“Ne kemi humbur shumë energji dhe kohë lidhur me këtë sfidë”.

Ajo gjithashtu është shprehur se vetëm mirëqenia e popullit do të mund t’i largonte këto barrikada.

“Unë besoj se Parku i Paqes reflekton realitetin për ndjenjat e njerëzve që jetojnë në Veri”.

“Nëse do ta ngrisnim standardin e jetesës në Veri dhe në Jug, të gjitha barrikadat do të hiqeshin”.

Hoxhiq ka folur gjithashtu edhe për Kroin e Vitakut.

“Vizioni im është që secila komunë, për shembull edhe Prishtina, duhet të zgjerohet e të rritet”.

“Nuk e di se ku do të zgjerohemi ne, nëse jo në Kroin e Vitakut?”.

“Mendoj se është politizuar shumë Kroi i Vitakut”.

Ajo gjithashtu e ka përmendur edhe importin e barnave.

“Duhet të futet importi i barnave me një procedurë të rregullt”.

“Licencat për prodhimet farmaceutike do t’i njohim në mënyrë reciproke”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat