Abdixhiku: Ja e vërteta e papunësisë në Kosovë

Kosova

Abdixhiku: Ja e vërteta e papunësisë në Kosovë

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 22:14

Analisti i ekonomisë, Lumir Abdixhiku, me anë të një postimi në Facebook ka kritikuar ashpër raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, që flet për papunësinë në Kosovë.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, nëpërmjet raportit të fundit mbi papunësinë, ka arritur në këto numra:
- Në Kosovë janë 1,202,489 njerëz në moshë pune;
- Prej të cilëve plot 702,238 (58.3%) janë joaktiv – pra s'kërkojnë punë (sic);
- Pjesa e mbetur, prej 500,251 kosovarëve janë forcë aktive;
- Nga ta, të punësuar janë 323,508 kosovarë (formal e joformal);
- Ndërsa, vetëm 176,743 janë të papunë;
- Rrjedhimisht, papunësia në Kosovë është rreth 35.1%.
Problemi serioz mbetet në mosllogaritjen e plot 702,238 kosovarëve, përkatësisht pjesës dërmuese (plot 58.3%); të cilët fshihen prej kalkulimeve të papunësisë me një vijë lapsi. Normë kaq të lartë joaktiviteti kanë vetëm 4 shtete tjera në botë (sipas të dhënave të Bankës Botërore), bëhet fjalë për Timorin Lindor (62.1%), Moldavinë (59.3%), Gazan (58.8%) dhe Samoa (58.5%).
Vendet fqinje të Kosovës, kanë norma shumë më të ulëta joaktiviteti; Mali i Zi (50.1%), Serbia (47.5%); Shqipëria (44.9%) e Maqedonia (44.8%) – për të dhënë një mesatare prej 46.8%. Nëse Kosova do të llogaritej se ka një fuqi punëtore joaktive sikurse regjioni – siç dhe ka gjasa të jetë – atëherë në Kosovë mund të jenë rreth 562,764 kosovarë joaktiv e 639,724 aktiv – për të dhënë në fund një papunësi prej plot 50.1% e jo 35.1%. Them se hapi i parë në zgjidhjen e problemit është pranimi i ekzistencës së tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat