​VV - Gjilan: Tash e 15 vjet nuk u rregullua shtrati i lumit Mirusha

Kosova

​VV - Gjilan: Tash e 15 vjet nuk u rregullua shtrati i lumit Mirusha

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 16:52

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, bashkë me banorët e lagjeve skaj lumit Mirusha, ka organizuar sot aksion në qendër të qytetit, për të shprehur shqetësimin e tyre lidhur me mosrregullimin e shtratit të këtij lumi.

VV e Gjilanit, ka akuzuar me anë të një deklarate të lexuar publikisht Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, secila në mandatet e veta të qeverisjes me komunën, përkundër premtimeve të zëshme elektorale, nuk e kanë zgjidhur problemin me ndotjen e lumit Mirusha.

“Kundërmimi që vjen nga ujërat e zeza që po derdhen në lumin Mirusha qe tri – katër dekada po shkon duke u shtuar. Në të gjitha fushatat elektorale, ky projekt jetik për qytetarët e Gjilanit, vendosej në prioritetet e subjekteve politike. Por, në dy mandatet e PDK-së dhe në këtë mandat të tretë të LDK-së, problemi i quajtur lumi Mirusha nuk është zgjidhur.

PDK-ja edhe pse shpenzoi 2-3 milionë euro, kryesisht në pjesën e poshtme të rrjedhës së lumit, e cila për këto 2-3 vite është shkatërruar shumë, nuk e zvogëloi kundërmimin e lumit-kanalizim, dhe as nuk e zvogëloi rrezikun e për hapjes së infeksionit nga ndotja e lumit.

LDK-ja përveç fjalëve të mëdha, vitin e kaluar i ka shpenzuar edhe rreth 150 mijë euro, por problemi ka mbetur i pazgjidhur. Kurse sivjet, edhe pse ka kaluar gjysma e vitit, pushtetarët nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në këtë drejtim. Përveç numrit të madh të minjve në këtë zonë, tani banorët po rrezikohen edhe nga gjarpërinjtë. Po ashtu, rreziku për përhapjen e infeksionit po rritet.

Banorët e lagjeve që jetojnë përreth lumit Mirusha, po jetojnë në mes të premtimeve për rregullimin e shtratit të lumit dhe kundërmimit të përhershëm, tash e 15 vite. Ata kërkojnë zgjidhje të problemit dhe jo më arsyetime për mungesë mjetesh, sepse jemi të bindur se mungesa e vullnetit për ta zgjidhur këtë problem është pengesë më e madhe se mungesa e mjeteve.

Kryetari i Gjilanit, më në fund, duhet të fillojë të merret me Gjilanin dhe problemet e Gjilanit”, thuhet në deklaratën e VV-së së Gjilanit./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat