​Viktimave të dhunës seksuale pritet t’u njihet statusi pas 16 vjetësh

Kosova

​Viktimave të dhunës seksuale pritet t’u njihet statusi pas 16 vjetësh

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 11:55

16 vjet pas përfundimit të luftës, kategoria më e ndjeshme ajo e dhunës seksuale, pritet që të gëzojnë të drejtat e tyre.

Komisioni për verifikimin dhe njohjen e statusit te të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, pritet të jetë gati së shpejti. Sot u diskutua për finalizimin e akteve të nevojshme nënligjore të projekt-rregullores për caktimin e procedurave për njohjen dhe verifikimin e statusit të këtyre viktimave.

Në mbledhjen e katërt të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit të Dhunës Seksuale të Luftës, drejtuar nga presidentja Atifete Jahjaga, u prezantua edhe formulari për aplikim. E para e vendit, kërkoi nga qeveria që sa më parë të ndërmarrë hapat e nevojshëm për formimin e komisionit qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të këtyre viktimave dhe kështu t’i hapet rrugë procesit të verifikimit.

Protagonistët e çështjes së mbrojtjes së viktimave të dhunës seksuale të dala nda lufta e fundit në Kosovë, thanë se janë të përkushtuar që të finalizojn ë planet e parapara, çdo herë me kujdes të veçantë duke ruajtur dinjitetin dhe të dhënat e viktimave.

Projekt-rregullorja, e cila ishte temë diskutimi në këtë mbledhje, është hartuar me qëllim të përcaktimit të kritereve dhe unifikimit të procedurave për njohje.

Viktimat e dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë do të jenë personat që i kanë mbijetuar abuzimit dhe dhunimit brenda periudhës prej 27 shkurt 1998 deri më 20 qershor të vitit 1999.

Vitkimat do të kenë të dispozicion tre lloje të aplikimit, ku vetë do të vendosin se cilën ta bëjnë, që sipas hartuesve të projekt-rregullores, format janë të lehta dhe sigurojnë ruajtjen e të dhënave të viktimës.

Finalizimin e akteve të nevojshme nënligjore, e para e vendit i cilësoi si një hap tejet të rëndësishëm.

“Pres nga qeveria e vendit të marrë sa më parë vendimet e nevojshme që do t’i hapin rrugën formimit të komisionit qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, ashtu siç e parasheh edhe ligji. Dhe, në bazë të akteve nënligjore, të filloj procesi i verifikimit dhe përfitimit të benificioneve për të mbijetuarit, duke përmbushur kështu edhe këtë obligim institucional që ne kemi marrë dhe që kemi ndaj tyre”, tha Jahjaga.

Presidentja Jahjaga tha se mbetet ende shumë punë për të bërë. Sipas saj, më shumë se kurrë duhet angazhim, në mënyrë që të përmbushet pjesa e mbetur e këtij procesi.

Ajo tha se është e nevojshme që këto raste të trajtohen me prioritet duke ndërtuar të gjitha mekanizmat e nevojshëm, të specializuara, për të garantuar trajtimin e denjë te të gjitha rasteve.

Ndërsa ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi tha që së shpejti këto kategori do të kenë trajtim ligjor, institucional, social, psikologjik dhe financiar. Sipas tij, verifikimi do të fillojë brenda këtij viti.

“Ne do të kompletojmë kornizën për çështjen e personave të dhunuar gjatë luftës së fundit, dhe për këtë kategori, nga institucionet kompetente të Republikës së Kosovës, do te kenë trajtim ligjor, institucional, psikologjik dhe financiar”, tha ai.

Po punohet edhe që viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, të kenë qasje më të lehtë në drejtësi.

“Grupi punues tashmë ka hartuar planin strategjik për të garantuar qasje më të lehtë në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Draft ky që pritet të përpunohet në vazhdimësi sipas nevojave”, tha zëvendësministri i Drejtësisë Lirak Çelaj.

Për hartimin e aplikacionit për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale në Kosovë, ka ndihmuar edhe qeveria britaneze, duke dërguar ekspertë në këtë drejtim.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë,Ruari O’Connel tha se kryesit e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duhet të dënohen.

“Shpresoj që ne mund të fillojmë të lehtësojmë dhimbjen e 16 viteve të fundit dhe pastaj të mund të punojmë më shumë për të ardhmen, natyrisht duke mos e harruar asnjëherë të kaluarën. Kjo behet duke ndëshkuar fajtoret, kushdo qofshin ata, çfarë do pozite që mbajnë ata , secili duhet të jap llogari për veprat që ka bërë, nëse nuk ndëshkohen për krimet e tyre atëherë do t’i përsërisin ato, ndoshta në forma tjera, por krimi do të jetë gjithmonë prezent”, tha ai.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale, u tha se viktimat do të mund të aplikojnë nëpër disa organizata jo-qeveritare të autorizuara, në sekretariatin e komisionit qeveritar që do të themelohet për to dhe nëpër zyre të veteranëve dhe invalidëve të luftës.

Shkallë invaliditeti nuk do të ketë për këto viktima pasi që kjo ndalohet me ligj. Procedura nuk do të bëhet me praninë e viktimës para komisionit, vetëm në rastet kur është e domosdoshme të jetë e pranishme prania, por do të behet vetëm me dokumentacionin e dorëzuar nga viktima dhe me plotësimin e formularit dhe dëshmitarët e rastit e propozuar nga viktima.

Më 20 mars të vitit që shkoi Kuvendi i Koso vës miratoi projektligjin me të cilin ka njohur statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Kjo ka obliguar nstitucionet që të ndërtojnë një proces të përgjithshëm, sipas standardeve të larta ndërkombëtare, për të zbatuar në plotëni këtë ligj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat