Opozita në Kosovë: Votimi për Gjykatën, proces i pakthyeshëm

Kosova

Opozita në Kosovë: Votimi për Gjykatën, proces i pakthyeshëm

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 17:52

Opozita në Kosovë insiston se amendamenti kushtetues për Gjykatën Speciale për Krime Lufte nuk mund të kthehet në Kuvendin e Kosovës për votim të sërishëm.

Ky reagim i opozitës pason deklaratat e kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësit të parë të tij, Hashim Thaçi, për riprocedimin e amendamentit kushtetues, të cilin Kuvendi e rrëzoi gjatë votimit më 26 qershor.

Liderët e tri partive opozitare, Visar Ymeri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj i partisë Nisma, kanë zhvilluar një takim të përbashkët, gjatë të cilit kanë konstatuar se votimi në Kuvendin e Kosovës kundër themelimit të Gjykatës Speciale më 26 qershor është vendim i pakthyeshëm.

“Qeveria e Republikës së Kosovës duhet t’i nënshtrohet këtij vendimi. Çdo tentativë për ta përmbysur këtë vendim të deputetëve të Kuvendit të Republikës, të shprehur lirshëm me votë të lirë, gjoja në emër të procedurave, është tendencë për ta përmbysur rendin institucional dhe demokratik në vend”, thuhet në qëndrimin e opozitës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat