​Hasanaj: Ivanoviq dhe Delibashiq ishin udhëheqës të grupeve serbe

Kosova

​Hasanaj: Ivanoviq dhe Delibashiq ishin udhëheqës të grupeve serbe

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 16:41

Në procesin gjyqësor kundër Oliver Ivanoviq dhe katër të akuzuarve tjerë për krime ndaj popullatës shqiptare më 1999 – 2000 në veri të Mitrovicës, të martën ka dëshmuar Shpend Hasanaj, i cili tha se më 3 shkurt të vitit 2000 rreth orës 18:30, serbët po tuboheshin para ndërtesave të ndryshme në veri të Mitrovicës, me qëllim të dëbimit të shqiptarëve nga ajo pjesë e qytetit.

Sipas tij, kanë qenë rreth 200 persona të tubuar të cilët kanë hyrë nëpër ndërtesat ku jetonin shqiptarët dhe i kanë dëbuar me dhunë.

“Dragan Delibashiq dhe Miodrag Raliq kanë qenë udhëheqës të serbëve të tubuar, sepse herë-herë këta të dy negocionin me policët e UNMIK-ut për të zgjidhur situata të ndryshme të tensioneve atë natë”, ka thënë Hasanaj.

Ai sqaroi se të njëjtën natë, rreth 30 serbë kanë hyrë me forcë në banesën e tij, duke thyer derën e hyrjes, ndërsa pasi është detyruar të dalë nga banesa bashkë me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij, ka shkuar tek fqinji Ismet Rroka, që banonte përballë tij.

“Pasi serbët më urdhëruan që për pesë minuta të dal nga banesa sepse në të kundërtën do të më vrasin, ata janë ngjitur në katet e sipërme dhe vetëm pas pak minutash është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm në katin e pestë, përkat ësisht para banesës së Hysen Rrahmanit, si pasojë e të cilit pati humbur jetën Selime Berisha. Oliver Ivanoviq ka qenë në mesin e këtyre njerëzve dhe ka udhëhequr me ta. Ai ka bartur radiolidhje, ndërsa nga kjo radiolidhje, meqë kam qenë shumë afër, e kam dëgjuar zërin e Bajram Rexhepit t’i ketë thënë Oliverit që të ndikojë në qetësimin e situatës. ”, theksoi mes tjerash Hasanaj.

Ai tha se pas këtij komunikimi, Oliveri është larguar menjëherë nga korridori dhe ka dal jashtë ndërtesës.

Hasanaj ka folur shkurtimisht edhe për periudhën e menjëhershme të pasluftës, me ç’rast tha se Oliverin e kishte parë shpeshherë në urë me të ashtuquajturat ‘Rrojat e urës’, duke penguar shqiptarët të shkojnë në veri.

Në këtë kontekst, ai përmendi edhe sulmin fizik ndaj nënës së tij, pikërisht nga ‘Rrojat e Urës’.

Në lidhje me tre të akuzuarit tjerë, Nebojsha e Ilija Vujaçiq, si dhe Aleksandar Llazoviq, dëshmitari u deklarua se nuk i njeh ata.

Avokati i të akuzuarit Dragolub Delibashiq, Miodrag Bërklaq, tha për Kosovapress se dëshmitari i sotëm ka parë klientin e tij në turmë, por jo edhe në ndërtesën në të cilën fatkeqësisht ka humbur jetën një person.

Sipas tij, nuk ka prova të mjaftueshme deri tani që Delibashiq, por edhe të akuzuarit tjerë, të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim.

Bërklaq: S’ka arsye që klienti im, por edhe të tjerët, të qëndrojnë në paraburgim

“Deklarata e Shpend Hasanajt sado që mund të krijojë imazh të keq ndaj klientit tim, ajo në fakt asgjë nuk tregon konkretisht dhe konsideroj se nuk është e besueshme… Mendoj se që moti janë ndërprerë arsyet që klienti im, por edhe të tjerët, të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim… Paraburgimi nuk është masë e hakmarrjes, paraburgimi nuk i shqi ptohet dikujt për shkak se ka kryer vepër penale, por ajo është masë për t’u siguruar prezenca e të dyshuarit në seanca gjyqësore, ndërsa klientët tonë kanë dëshmuar deri tani se janë të gatshëm për bashkëpunim”, ka thënë Bërklaq.

Në anën tjetër, mbrojtësi i viktimave Burhan Maxhuni, e ka thënë të kundërtën sa i përket qëndrimit në paraburgim të Delibashiqit dhe të tjerëve.

Sipas tij, dëshmitari i sotëm, por edhe dëshmitarët e tjerë të mëparshëm, kanë ofruar prova të mjaftueshme të cilat konfirmojnë arsyen e qëndrimit të të akuzuarve në paraburgim

Maxhuni: Trupi Gjykues ka marrë vendim adekuat që të akuzuarit të qëndrojnë në paraburgim

“Duke pasur parasysh që jo vetëm ky dëshmitar, por edhe dëshmitarët tjerë vazhdimisht kanë konfirmuar se organizatorët e grupeve kanë qenë Oliver Ivanoviq dhe Dragan Delibashiq, atëherë mendoj se trupi gjykues ka marrë vendim a dekuat që ata të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim”, ka thënë për Kosovapress Maxhuni.

Seanca do të vazhdojë të enjten më 2 gusht, ndërsa dëshmitar i radhës pritet të jetë Hysen Rrahmani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat