Engel: Forcimi i sistemit të drejtësisë e çon Kosovën përpara

Kosova

Engel: Forcimi i sistemit të drejtësisë e çon Kosovën përpara

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 14:23

Kongresmeni amerikan, Eliot Engel thotë se forcimi i sistemit të drejtësisë do ta çojë Kosovën përpara si shtet demokratik. Sipas tij, ka ende sfida që janë raste e grumbulluara nëpër gjykata, por megjithatë ka pas një përparim të mirë në këtë fushë. Engel thotë se sistemi i drejtësisë duhet të jetë i lirë edhe nga ndikimi politik, sepse çelësi i demokracisë janë gjykatat e lira.

Së bashku me ambasadoren e ShBA-ve në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, dhe një delegacion nga ShBA-të, Engel vizitoi sot Pallatin e Drejtësisë në Kosovë. Ai u prit nga kryetari i Gjykatës Supreme dhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese. Këta të fundit e njoftuan kongresmenin për punën e gjyqësisë në Kosovë.

“Prandaj, forcimi i sistemit të drejtësisë është ajo që do ta çojë Kosovën përpara. Natyrisht ka sfida që kanë mbetur, ka raste të grumbulluara që janë me mijëra. Sistemi i drejtësisë duhet të jetë i lirë edhe nga ndikimi politik dhe i pavarur, por përveç që ka pas përparim të mirë, megjithatë çelësi i demokracisë janë gjykatat. Jam shumë krenar për gjithë atë punë që e kam parë këtu”, tha ai.

Vizitën e delegacionit nga ShBA-të, kryetari i Gjykatës Supreme e vlerësoi si mbështetje për segmentin e gjyqësori në Kosovë.

“Kongresmenin e njoftuam për sistemin gjyqësor të Kosovës, sfidat që po e përcjellin sistemin, punët që janë bërë, avancimet, problemet, defektet që aktualisht janë në gjyqësinë e Kosovës ose në këtë segment të rëndësishëm të sundimit të rendit dhe ligjit”, tha ai.

Në takim, u diskutua edhe për Gjykatën Kushtetuese, ku të gjithë u pajtuan që është urgjente zgjedhja e gjyqtarëve në Kushtetuese.

Kryetarja, Arta Rama Hajrizi, tha se u pajtuan gjithashtu që është shumë me rëndësi që Gjykata Kushtetuese të vazhdojë punën si e pavarur në mbrojtjen e kushtetutës.

“U pajtuam që është urgjente që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të zgjedhën që të krijohet kompozicioni i plotë i gjyqtarëve prej 9 gjyqtarëve, pasi që tani për tani i kemi vetëm 7, pas dështimit të procesit për zgjedhjen e dy gjyqtarëve të rinjë . U pajtuam që është me rëndësi që këta gjyqtarë të jenë profesionistë, të jenë të pavarurdhe të jenë njerëz të dëshmuar në fushën e drejtësisë”, tha ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat