​Migrimi ilegal shënoi rritjen më të madhe që nga paslufta

Kosova

​Migrimi ilegal shënoi rritjen më të madhe që nga paslufta

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 14:19

Migrimi ilegal i kosovarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian është rritur dukshëm viteve të fundit, sidomos në fund të vitit 2014 dhe fillimi i vitit 2015, kur BE-ja pësoi valën me të madhe të emigranteve kosovarë.

Ndërkaq, destinacionet e shtetasve të Kosovës janë Gjermania, Zvicra, Franca, Austria dhe Suedia, ndonëse në vitin që shkoi vendin e Suedisë e zuri Hungaria si vendi me numrin me të madh të azilkërkuesve.

Këto të dhëna u dhanë në tryezën e organizuar sot nga Instituti për Politika Zhvillimore INDEP dhe fondacioni Friedrich Ebert Stiftung, ku edhe u prezantuan dy raporte rreth migrimit ilegal.

Në raportin e INDEP-it thuhet se njerëzit që migruan nga viti 2000 e deri në valën e fundit të migrimit ilegal e kanë lënë vendin për tri arsye. E para për qëllime të bashkimit familjar, e dyta për qëllime të arsimimit dhe për punë të përkohshme, ndërsa e treta migrimi i nxitur për shkak të varfërisë së përhapur, korrupsionit, papunësisë së lartë dhe mungesës së perspektivës për të ardhmen.

Sipas këtij raporti, migrimi i kosovarëve në BE për periudhën 2008-2014 është rritur dukshëm. Ndërsa në vitin 2008 pas shpalljes së pavarësisë numri i aplikantëve për azil është rritur dyfish, nga 20 përqind në 40 përqind.

Mirëpo rritja më e madhe u shënua në vitin 2009 ku përqindja e aplikantëve ishte më e madhe se 100 përqind. Megjithatë, ka me shumë aplikantë për azil në vitin 2013 dhe 2014 se sa në vitet e mëhershme të përfshira në studimin e INDEP-it.

Përfaqësuesi i INDEP-it Burim Ejupi tha se arsyet e migrimit janë të shumëllojshme. Ai shtoi se njerëzit lëvizin për të gjetur një jetë me të mirë, por duhet të fokusohen tek migrimi ilegal që të mos ndodhë.

“Ajo që ne duhet të përqendrohemi është migrimi ilegal. Njerëzit duhet të informohen mos të migrojnë në mënyrë ilegale. Për arsye se migrimi ilegal është ajo që po vjen. Momentalisht ne i pamë nëpeë media se të dhënat zyrtare janë rreth njëmijë veta që veç janë kthyer prej valës së madhe. Do të thotë është humbje kohe, njerëzit kanë humbur gjashtë muaj, tetë muaj, që janë shkuar kanë humbur të hollat dhe kanë paguar trafikantë...Ideja jonë si institute kërkimore është që rekomandimet tona ose të ndikojnë në përmirësimin e politikave publike ose t’i ndërrojmë politikat publike që t’i ndihmojnë qytetarët e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë”, tha Ejupi.

Ndërsa, këshilltari i ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, Michael Sauer në fund të vitit 2014 dhe në fillim të këtij viti mijëra kosovarë u larguan nga vendi pasi janë vënë në lajthitje nga thashethemet dhe pritshmëritë e gabuara e të rrejshme.

“Objektiva jo në kryesore është që të menaxhohet më mirë migrimi i punës me qëllim që të arrihen të paktën tri gjëra. E, para që të përdoren më mirë mënyrat ekzistuese të ligjshme të migrimit të punës nga Kosova në vendet e treta dhe ndoshta edhe për kthim. E dyta, që të hapen kanale të reja për migrim të ligjshëm të punës duke ndihmuar nga marrëdhëniet bilaterale me vendet tjera dhe e treta me këtë ne shpresojmë që të parandalojmë ose të paktën të zvogëlojmë migrimin e paligjshëm ose ilegal”, tha Sauer.

Në këtë tryezë edhe fondacioni Friedrich Ebert Stiftung paraqiti raportin “Fluksi i migracionit drejt Evropës- njerëzit, mënyrat dhe arsyet”. Ky studim zbulon se vala e fundit e migrimit u shkaktua nga kanali i hapur përmes kufirit serbo-hungarez dhe i mbështetur nga një rrjet i kontrabanduesve. Megjithatë, 72 përqind e pjesëmarrësve kanë menduar dhe planifikuar të migrojnë gjatë vitit 2014 dhe me herët.

Po ashtu sipas këtij raporti shumica e imigrantëve kanë imigruar për arsye ekonomike si pasojë e të ardhurave të ulëta për familje që nuk mund të sigurojnë dot kalimin e kufirit të varfërisë.

Ndërsa, në raportin e INDEP-it janë paraqitur pesë rekomandime për institucionet. Sipas rekomandimeve të INDEP-it Kosova duhet të rris shkallën e bashkëpunimit dhe të shkëmbimit të informatave në fushën e migrimit me Serbinë dhe Hungarinë, Kosova duhet ta hartojë një plan të kontigjencës, i cili do t’iu bënte thirrje vendeve potenciale nikoqire të BE-së që t’i pajisin një numër të kosovarëve me leje pune për 3-6 muaj, që Qeveria duhet të ndajë një pjesë të buxhetit të vet për t’u ofruar ndihmë sociale personave të riatdhesuar gjatë valës së fundit të migrimit ilegal, duhet të punojë pandërprerë në trajtimin e problemit të punësisë së lartë dhe rekomandimi i fundit thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta përmirësojë klimën e përgjithshme të investimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat