Vetëm 53.9 përqind e maturantëve kaluan testin

Kosova

Vetëm 53.9 përqind e maturantëve kaluan testin

Më: 30 qershor 2015 Në ora: 12:51

Vetëm 53.9 përqind të maturantëve kanë arritur të kalojnë testin e kalueshmërisë. Edhe këtë vit, përqindje më të lartë të kalueshmërisë kanë shënuar gjimnazet, duke lënë mbrapa shkollat profesionale.

Këto rezultate sot i ka publikuar Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës.

Kryetari Komisionit Shtetëror të Maturës Azem Guri, Guri, i quajti të suksesshme rezultatet e arritura të testit të maturës, duke thënë se kjo ka ardhur si rezultat i krijimeve të kushteve për maturantët.

“Testit i janë nënshtruar 34 mijë e 14 maturantë, që shprehur në përqindje i bie 53.9 përqind dhe kalueshmërinë e kemi sipas kësaj radhitje. Në gjimnaz 81 për qind kalueshmërinë, ndërsa në shkollat e mesme profesionale kalueshmëria është 31 përqind. Nëse e bëjmë krahasimin me qershorin e vitit të kaluar me këtë vit, kemi një rritje të kalueshmërisë për 1.4 përqind, që ne si Komision Qendror Shtetëror i testit të maturës, këtë rritje të lehtë, këtë avancim të kalueshmërisë , e kemi vlerësuar me radhë të parë me krijimin e kushteve që iu kemi krijuar maturantëve, për një ambient më komod dhe më të sigurt për zhvillimin e procesit të provimit shtetëror të maturës”, tha Guri.

Kryetari i komisionit tha se do të ketë sanksionim për administruesit të cilën kanë mbarëvajtur situatën e testit të maturës.

“Ne i kemi evidentuar dhe jemi në shqyrtim këtë pjesën e dytë siç shihet edhe nga komunikimet që kanë ndodh në rrjete sociale, që është një numër i vogël që e kanë dëmtuar procesin. Kësaj radhe do të bëjmë sanksione për administruesit. Kështu që jemi duke u marr se ku kanë qenë e ku ka ndodh ato, jemi duke i identifiku administruesit me të cilët do të vlejnë masat gjegjësisht rregullat për administruesit. Nxënës nuk ka të sanksionuar”, tha Guri.

Kurs e, nga dita e nesërme MASHT do të fillojë me përgatitjet për pjesën e dytë gjegjësisht për afatin e gushtit. Ndërsa, paraqitja e ankesave fillon nga sot, dhe pas tri ditëve fillojnë të shqyrtohen ankesat nga divizioni i vlerësimeve standarde.

Paraqitja e ankesave bëhet në komunat dhe drejtoritë komunale të arsimit, dhe njëkohësisht divizioni i vlerësimeve dhe standardet do të ju përgjigjet këtyre kërkesave, ku do të dal me rezultate varësisht prej kërkesave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat